Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi pritet që të merren në pyetje javën në vijim për aferën ‘Partizani’. Seanca e marrjes në pyetje ishte parashikuar ditën e sotme për Malltezin dhe nesër për ish-kryeministrin, por me kërkesë të avokatëve, SPAK pranoi shtyrjen e dy seancave.
Avokatët kishin depozituar në SPAK kërkesën për shtyrje, me argumentin se për shkak të impenjimeve nuk mund të ishin të pranishëm në asnjë prej seancave.
Nga ana tjetër, Apeli i GJKKO ka regjistruar dosjen e avokatëve të Berishës, të cilët kanë përfshirë ankimin e masën e sigurisë arrest shtëpie dhe ankimimin kundër vendimit që rrëzoi përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga çështja e ish-kryeministrit.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar regjistroi çështjen penale nr. 27 akti, datë 16.11.2023 regjistrimi, mbi ankimin e personit nën hetim S.B. me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 520, datë 30.12.2023 (disponuar mbi kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurimit personal) dhe vendimit nr. 521, datë 27.12.2023 (disponuar mbi kërkesën për përjashtim gjyqtari) të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”. Sipas shortit, trupi gjykues monokratik përbëhet nga gjyqtarja Iliriana Olldashi”, njofton Apeli GJKKO.
Do të jetë gjyqtarja Ilirjana Olldashi, – gjyqtare e gatshme e Apelit në GJKKO – që do shqyrtojë ankimimin e Berishës. Kjo gjyqtare më 21 nëntor 2023 liroi nga burgu Jamarbër Malltezin, duke i ndryshuar masën e sigurisë nga ‘arrest me burg’ në ‘arrest shtëpie”