Agim Kashi, një shofer që shpërndante qumështin për spitalin e Shkodrës, sot 64 vjeç, atëherë 39 vjeçar u bë protagosnit i ngjarjeve të 2 prillit 1991 në Shkodër ku u vranë katër persona dhe dhjetra të tjerë u plagosën.
Agimi është shoferi që transportoi trupat e tre prej të vrarëve, Nazmi Kryeziut, Arben Brocit dhe Besnik Cekës si dhe dërgoi në spital edhe shumë prej të plagosurve. Kashi, sot pas 25 viteve tregon se si nisi ajo revoltë dhe se lidhet me manipulimin e zgjedhjeve të 31 marsit ku komunistët fituan në rang kombëtar përballë partisë demokratike, humbje që në Shkodër nuk u pranua dhe që solli protestën. Gjithçka nisi me 1 prill. Me 2 prill, Kashi ka qëlluar në afërsi të shkollës “Jordan Misja”, nxënësit e së cilës kanë dalë të parët në turmë duke iu drejtuar komitetit qëndror të PPSH. Tregon se si mes plumbave transportoi për në spitalin e Shkodrës trupat e tre prej të vrarëve, Nazmi Kryeziut, Arben Brocit dhe Besnik Cekës. Policinë e para 25 viteve e quan injorante dhe se policët gjuanin drejt turmës ndërsa për Kashin rrezikshmëria ishte e madhe dhe nuk do ishte çudi të ishin vrarë shumë me shumë se 4 persona. Idealin për demokraci e liri e vendosi përpara familjes së tij. Gjatë transportimit të trupave të pajetë në spital, Kashi thotë se nga populli nuk kishte asnjë pengesë veçse kudo përshëndetje me dygishtat e ngritur lart. Sot pas 25 viteve, Agim Kashi është i zhgënjyer jo vetëm për moszbardhjen e plotë të ngjarjes së 2 prillit por edhe mungesën e demokracisë. Të rinj si Agim Kashi, me 2 prill 1991 në Shkodër ishin me mijëra në shesh në kërkim të demokracisë dhe rrëzimit të sistemit komunist, protestë e cila u la me gjakun e 4 djemve shkodran.