Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Cameron do të zhvillojë këtë të mërkurë një vizitë zyrtare në Tiranë.

Burime nga Kryeministria, konfirmuan detaje të vizitës së sekretarit Cameron në vendin tonë. Sipas burimeve mësohet se pritja në Kryeministri do të zhvillohet në orën 12:00, teksa konferenca e përbashkët për mediet me kryeministrin Edi Rama do të mbahet në orën 12:50.

Ndërkohë Presidenca ka njoftuar se Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe pritet të takohet me Presidentin Bajram Begaj në ora 14:30.

“Presidenti Begaj do të presë ditën e mërkurë, date 22 maj, ora 14.30 Sekretarin Britanik të Shtetit për Çështjet e Jashtme, Lordin David Cameron”, njoftoi dje Presidenca.

Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Cameron do të takohet edhe me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.Po ashtu, mbi vizitën e Cameron në Shqipëri ka zbardhur detaje edhe Ambasada britanike në Tiranë.

Ambasada njofton se Cameron do të prezantojë një plan që lidhet me gjyqësorin, për të trajtuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri.

“Si pjesë e lidershipit në rritje të Mbretërisë së Bashkuar për të gjetur zgjidhje për sfidën pan-evropiane, Sekretari i Jashtëm britanik do të udhëtojë në Shqipëri këtë javë për t’u takuar me Presidentin, Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm shqiptar për të diskutuar mbi bashkëpunimin Shqipëri-Britani e Madhe, për kontrollin e emigracionit të paligjshëm në vijën e parë të frontit.

Sekretari i Jashtëm britanik do të nënvizojë suksesin e partneritetit tonë inovativ për t’i bërë ballë trafikantëve të qenieve njerëzore dhe emigracionit të paligjshëm si dhe ndikimin e investimeve britanike në parandalimin e emigracionit.

Sekretari i Jashtëm do të mbështetet në lidershipin e Mbretërisë së Bashkuar në trajtimin e krimit të organizuar duke njoftuar një program të ri që lidhet me gjyqësorin, për të trajtuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri, si dhe ofrimin e ekspertizës së Mbretërisë së Bashkuar për Policinë Shqiptare, për axhendën e tyre të reformës”, njofton ambasada britanike.

Sakaq, Tirana është veshur me ngjyrat e flamurit të Britanisë së Madhe për t’i dhënë mirëseardhjen Lordit Cameron, ndërkohë tek godina e korpusit të Universitetit të Tiranës është vendosur portreti i tij me mbishkrimin “Welcome” (Mirësevjen).

Artikulli paraprakTË HUAJT NA ‘PUSHTOJNË’, QË NË MARS, RRITEN ME 64% NETË-QËNDRIMET
Artikulli tjetër“NE JEMI PROKURORË DHE JO INKUIZITOR. 41 MLN EURO PASURI TË SEKUESTRUARA”, ALTIN DUMANI RAPORTON TE KOMISIONI I LIGJEVE: JA PUNA E SPAK ME SHIFRA