Agrobiznesi: Hetim abuzuesve, prodhimet janë të pastra
Pas denoncimeve konkrete në emisionin “Fiks Fare”, ku fermerë përdorin sasi të mëdha stimulantësh dhe hormonesh për pjekjen e fruta-perimeve, Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar dënon publikisht këto raste dhe kërkon hetimin deri në fund të personave përgjegjës. “Këto veprime janë të dënueshme nga ana jonë si Këshill Agrobiznesi dhe në të njëjtën kohë janë të verifikueshme nga organet. Duhet të veprojnë menjëherë dhe nuk duhet të neglizhojnë”, deklaron Agim Rrapaj, nga KASH. Por këshilli që përfaqëson fermerët kërkon që këto raste të mos përgjithësojnë të gjithë prodhimin bujqësor vendas. “Por ne nuk mund të jemi dakord me përgjithësimin që u bëhet këtyre rasteve, sikur të gjithë fermerët dhe të gjithë prodhuesit përdorin të njëjtat shtesa siç bënin këta persona të veçantë”, thotë Rrapaj. Këshilli thotë se prodhimet bujqësore shqiptare eksportohen në shumë vende të Bashkimit Europian dhe deri më tani nuk ka patur reklamime për përdorim të lartë pesticidesh apo hormonesh. “Ne kemi rritje të eksporteve në vende ku janë bërë të gjitha analizat. Kemi marrë informacion nga organet kompetente, nga AKU, nga ISUV, ku analizat kanë dalë jashtëzakonisht të mira për prodhuesit shqiptarë dhe të gjitha ushqimet që dalin në treg janë të standardeve bashkëkohore sa i përket sigurisë ushqimore. Rastet e veçanta janë dhe do të jenë, ndaj për këtë arsye ne vlerësojmë median kur jep raste të veçanta dhe konkrete siç u dha këtë radhë”, thotë Rrapaj.