Agron Tufa, Drejtori i dorëhequr i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri, i tha “Zërit të Amerikës” se kërkoi azil politik në një vend të Europës për shkak të kërcënimeve të shumta ndaj tij që ai i ka denoncuar. Duke folur me Skype nga një vend i Evropës ku ka kërkuar azil, zoti Tufa, publicist dhe shkrimtar i njohur, tha se nuk do ta ndërpresë veprimtarinë për denoncimin e krimeve të komunizmit.

Zëri i Amerikës: Ju jeni një shkrimtar dhe pedagog i njohur, jeni drejtues i Institutit për Studimin e Krimeve të Komunizmit – një institucion i rëndësishëm shtetëror, dhe u rizgjodhët për një mandat të dytë. Çfarë ndodhi që ju bëri të largoheni nga Shqipëria?

Agron Tufa: Konfrontimi im ka qënë për shkak të detyrës, dhe ka qënë një konfrontim që ka nisur që nga dhjetori i vitit të kaluar me intensifikim të vazhduar dhe nga 1 prilli me një fushatë të hapur në shtyp, në parlament, pra në kuvendin e Shqipërisë, në forma nga më të ndryshmet nga një segment ose një skalion i atyre që unë i quaj enveristë, që kanë punuar në organet e drejtësisë komuniste.

Për shkak të pranisë së madhe në institucionet qëndrore të shtetit të ish oficerëve operativë të sigurimit të shtetit unë pra kalova në një konfrontim të hapur publik i cili pastaj për fat të keq mori natyrën e përqëndruar të një kryqëzate sulmesh kundër meje personalisht duke u shoqëruar me shpifje, shantazhe, kërcënime deri tek kërcënimet me vdekje.

Këto lloj formash të presionit dhe frikësimit mbërritën në një moment kur u dendësuan dhe unë ndjeva një rrezik për jetën time dhe të familjes derisa u bë e papërballueshme dhe e padurueshme pasi kisha bërë më parë përpjekje për të gjetur drejtësi në institucionet ligj-zbatuese, në gjyqet që pata hapur ndaj këtyre personave me të kaluar tërësisht të përzishëm në diktaturën komuniste të Enver Hoxhës. Këto kanë qënë arsyet përse ika.

Zëri i Amerikës: Zoti Tufa jemi në vitin 2019, dhe ironia është se pikërisht sot Shqipëria mori presidencën e radhës së OSBE-së, organizatë ku një komponent me rëndësi është komponenti human. Çfarë mendimi keni?

Agron Tufa: Këto lloj paradoksesh të një rendi absurd unë nuk di sesi kanë mundur të ngjasin, por sigurisht kjo gjendje nuk erdhi dhe u bë faktike e tillë, tani. Kjo ka qënë një mospërballim i situatës post-tatalitare të Shqipërisë. Ne nuk u përballëm me detyrat, dhe detyra kryesore ishte eliminimi ose mënjanimi, spastrimi nga hapësirat publike të institucioneve të legjislacionit, të drejtësisë të trashëgimisë komuniste.

Ata tashmë kanë mbërritur në një pikë konsolidimi, ndjehen të sigurtë madje përdorin edhe slangun e tyre të parapëlqyer të shantazheve dhe kërcënimeve me vdekje. Unë mendoj se ne nuk u përballëm dot atëhere kur duhej dhe si duhej me këtë trashëgimi, e cila sigurisht të vetmen mënyrë sjelljeje ka pasur atë të përndjekjes, të kërcënimeve, të dënimeve, pushkatimeve, e të genocidit siç i kam studiuar unë këto tetë vite në dokumentat e dosjeve të arkivave të sigurimit të shtetit.

Zëri i Amerikës: Zoti Tufa, ju i keni denoncuar në polici kërcënimet që ju janë bërë. Si ka qënë reagimi i autoriteteve?

Agron Tufa: Unë kam nisur t’i denoncoj që në precedentët e parë, që në vitin 2017, kur gjatë një tremujori fushatë që pata hapur për sensibilizimin e opinionit dhe sigurisht parlamentit për trajtimin e produkteve të kinematografisë të Kinostudios Shqipëria e Re, për dokumentarët e kohës së Enver Hoxhës dhe filmat artistikë që përmbajnë aspekte propagande, u zhvillua një debat i gjatë publik.

Sigurisht unë u përpoqa t’i rekomandoj dhe të udhëzoj komisionin e ligjeve, parlamentin shqiptar për një trajtim të këtyre filmave pasi ato binin ndesh me Kushtetutën. Si përfundim, në vend të mirëkuptimit tek ne lind muri. Dhe në këtë rast ai u shoqërua edhe me kërcënime me vdekje. Unë kam bërë kallzimet e mia në polici, por Gjykata e Lartë e pushoi çështjen. Unë i kam dokumentet.

Në dy kërcënimet e tjera radhaz me vdekjen time dhe kërcënimin për shfarosjen e familjes sime, u jemi drejtuar gjykatave përmes avokatit tim dhe direkt njërit prej kërcënimeve por nuk kemi patur asnjë përgjigje sikundër edhe me gjyqet e tjera, me kallëzimet penale të kriminelëve të diktaturës, pasi kam bërë kallëzime penale, dhe nuk kemi marrë përgjigje. Ka qenë në mënyrë konstante.

Gjyqi që kam hapur kundrejt deputetit Spartak Braho dhe 6 epigonëve të tij ka vazhduar nga prilli deri më sot pa bërë asnjë hap. Është një teknikë zvarritje dhe është e kotë të presësh pasi i di shumë mirë këto metoda të zvarritjes dhe të sabotimit të seancave.

Zëri i Amerikës: Zoti Tufa çfarë e inkurajon mos-zbardhjen e krimeve të komunizmit në Shqipëri? Sepase janë disa faktorë në shoqërinë shqiptare që edhe sot pas 3 dekadash krimet nuk zbardhen.

Agron Tufa: E para është, siç e thashë në fillim, që Shqipëria nuk u përball ligjërisht me inertet e diktaturës. Shqipëria nuk bëri një ligj lustracioni siç e kanë bërë vende të tjera që sot janë në Bashkimin Evropian. Në gjithë publicistikën time prej 15-20 vitesh unë bëjë këtë thirrje me disa kolegët e mi.

Edhe në rastet kur ne i kishim ideale, ato u sabotuan deri në vitin 2014-2015, pra në vend të ligjit të lustracionit të propozuar nga ne dhe shoqëria civile u preferua një ligj i hartuar me ngut në zyrat e Ministrit të Punëve dhe Çështjeve Sociale që njihej si ligji Veliaj, i cili sot ka sjellë në jetë Autoritetin e Hapjes së Dosjeve për Ish Sigurimin e Shtetit i cili e vendos theksin vetëm tek bashkëpunëtorët ose ndonjë gjë e zbehtë ose në trajtimin kulturor e logjik,

pavarësisht se nuk e kanë ekspertizën e duhur akademike për këto gjëra. Por ai nuk merret pikërisht me atë që ligji përcakton – të trajtojë dosjet e Sigurimit të Shtetit, të japë përgjigje dhe në vend që ta drejtojë objektivin e vet tek ish oficerët e Sigurimit të Shtetit merret me aspekte fare të vogla, me ndonjë bashkëpunëtor. Pra kjo ishte një mënyrë për ta bllokuar ligjin e lustracionit dhe në vend të tij të kishte një kontroll të ri të dosjeve i cili tashmë dihet gjerësisht që i ka shkatërruar institucionet arkivore të Shqipërisë, duke i fragmentarizuar, copëzuar dhe seleksionuar.

Për më tepër, unë kam bërë vazhdimisht prezent shqetësimin tim për një ndikim të thellë e të gjithanshëm të këtij insitucioni nga ish oficerë të Sigurimit të Shtetit. Është një institucion përfundimisht i pabesueshëm, dhe nuk duhet të ishte bërë, pavarësisht se unë kam qenë kundërshtar që në fillim, në origjinë të këtij ligji dhe kam vazhduar të jem koherent me veten time, në mënyrë permanente për frutat e helmëta të veprimtarisë së tij.

Zëri i Amerikës: Zoti Tufa, tani që ju jeni në kërkim të azilit politik, a do ta vazhdoni atë që keni më shumë për zemër, denoncimin e krimeve të komunizmit, në mënyra të ndryshme në vendin ku jeni?

Agron Tufa: Sigurisht, kjo për mua nuk ka qenë një detyrë thjesht burokratike, konformiste por ka qenë zëri i ndërgjegjes qytetare, ka qenë një mision, ka qenë një kauzë dhe unë edhe pa qenë në institut kam investuar tërësisht bindjet e mia, botëkuptimin tim, ndjeshmërinë time dhe është një luftë e pakompromis siç janë luftrat e mëdha për higjenën mendore dhe shpirtërore të qytetarëve.

Unë besoj se do të kem mundësi të tjera tani, jo drejtpëdrejt shtetërore por do të jem nga disa pikëpamje shumë më i lirë për të thënë të vërteta rrënqethëse dhe të troçta sesi

institucionet e larta që nga ato ligjvënëse dhe deri tek institucionet e ndjeshmërisë së veçantë si SHISH-i apo policia e shtetit janë të mbushura plot për plot me njerëzit me të kaluarën më të zezë, pra ish oficerët dhe shefat e Sigurimit të Shtetit, ish kryetarë dhe nënkryetarë të Degëve të Punëve të Brendshme, ish rezidentë.

Pra kjo është e papranueshme, dhe është gjëja më e zezë. Është gunga në shpinën e shoqërisë shqiptare e cila patjetër duhet të përballet me këtë. Në mos, ne duhet të pranojmë një poshtërim kolektiv dhe një cilësi jashtëzakonisht të ulët dhe të keqe të lirisë sonë.

Artikulli paraprakDHUNONTE PREJ KOHËSH GRUAN E PAJISUR ME URDHËR MBROJTJE, 28-VJEÇARI HEDH GRANATË NË OBORRIN E VJEHRRIT
Artikulli tjetër“GJAKU I REÇAKUT NUK BËHET UJË!” PRESIDENCA REAGON ASHPËR NDAJ VUÇIÇ