Ministri i Financave, Arben Ahmetaj doli në një deklaratë për mediat për të prezantuar disa ndryshime në legjislacion, që sipas Qeverisë, lehtësojnë aktivitetin e fermerëve.

Udhëzimi i ri heq burokracitë dhe u mundëson fermerëve që të shesin me para në dorë deri në shumën 30 mijë lekë të reja. “Deri në masën 30 mijë lekë të reja, transaksioni kryhet në dorë, pra në cash. Ky është një tranksaksion ditor prej 30 mijë lekësh të reja”, tha Ahmetaj. Transaksionet nga 30 mijë deri në 150 mijë lekë të reja, tha Ahmetaj, kryhet përmes bankës ose postës. Sa u takon transaksioneve që tejkalojnë 150 mijë lekë të reja ato do të kryhen vetëm përmes bankës. “Pagesat për shitjet nga 30 mijë lekë deri në 150 mijë lekë mund të kryehen përmes postës dhe kushdo që dëshiron edhe përmes bankës”, deklaroi Ahmetaj. Ministri i Financave kërkoi nga Posta Shqiptare që të mundësojë shtrirjen e shërbimit në zonat rurale dhe në pikat e grumbullimit të prodhimeve të fermerëve. Një tjetër shqetësim i ngritur nga eksportuesit ishte ai që kishte të bënte me doganat. “Do të kemi shërbim 24 orë për eksportuesit e produkteve të fermerëve”, tha Ahmetaj. Ndryshimet mbërrijnë pas dy letrave të dërguara nga kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, i cili i kërkonte Qeverisë lehtësimet e mësipërme për fermerët. Por duket se LSI nuk ka qenë e vetmja. “Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe ka të paktën 3 muaj që e ngre këtë problem në vazhdimësi dhe shqetësimi i parë ka ardhur nga grumbulluesit e Fierit, Lushnjes dhe Beratit”, deklaroi Ahmetaj.

Artikulli paraprakSTAR SPORT – 02.05.2016
Artikulli tjetërSTAR TREND – 02.05.2016