Ahmetaj: Shqipëria e dyta në rajon për investimet e huaja
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, u shpreh se viti 2016 shënoi një rekord historik përsa i përket thithjes së investimeve të huaja në Shqipëri. Duke prezantuar Aktin Normativ të buxhetit të shtetit për vitin 2016 në Kuvend, Ahmetaj tha se investimet e huaja u rritën gjatë 2016-ës me 9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke lënë pas ndjeshëm vende si Maqedonia dhe Serbia. “Investimet e huaja shënuan rekord historik. U rritën me 9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), duke u renditur e dyta në rajon pas Malit të Zi dhe duke lënë larg Maqedoninë me 3% të PBB. Në tre mujorin e tretë, sipas BSH investimet e huaja shkuan 13% dhe me vlerë nominale 288 mln euro”, u shpreh Ahmetaj. Ahmetaj tha se janë të gjitha pritshmëritë që ekonomia shqiptare të vijojë rritjen. “Ekonomia prej një viti e gjysmë rresht njeh vetëm lajme të mira. Paraqesim në Kuvend Aktin Normativ në përputhje me kuadrin legjislativ. Aktivi Normativ i dhjetorit 2016 nuk e rriti deficiti, por e uli atë, nuk e rriti borxhin, por e uli atë. Qeveria vendosi të ndërhyjë me anë të këtij akti duke siguruar paketën e solidaritetit për shtresat vulnerabël, shlyerjen e detyrimeve, mbështetjen për bujqësinë, investimet publike, duke synuar nxitjen e projekteve të mirë zbatuara dhe të avancuara. Kemi konkluduar edhe dy rishikimet e fundit të FMN-së dhe së bashku me to kemi mbyllur një program tre vjeçar të suksesshëm që mbi të gjitha risolli konsolidimin fiskal, por riktheu rritjen ekonomike duke konsoliduar ritmet e shpejta të rritjes. Viti 2016 ishte viti i konsolidimit të rritjes ekonomike të ekonomisë shqiptare”, u shpreh Ahmetaj. Investimet e huaja Rekord historik. Me 9% të PBB, duke u renditur e dyta në rajon pas Malit të Zi dhe duke lënë larg Maqedoninë me 3% të PBB. Në tre mujorin e tretë, sipas BSH investimet e huaja shkuan 13% dhe me vlerë nominale 288 mln euro. Eksporti i energjisë Për herë të parë pas 6 vitesh eksportuam neto energji elektrike. Gjatë vitit 2016 eksportuam 700 mln kw/orë energji elektrike në vendet e tjera, falë rritjes së prodhimit vendas dhe uljes së abuzimeve në rrjet. Eksportet Për periudhën janar-dhjetor të vitit 2016, eksportet shënuan një rritje prej 8.1%. Punësimi Shkalla e papunësisë ka zbritur në 15.2%. Ka një reduktim prej 2.3% i cili përbën një indikacion pozitiv për situatën ekonomike dhe pritshmëritë në vijim.