PROBLEMET MË TË MËDHA NË KUFIRIN SERBI – HUNGARI DHE MAQEDONI – GREQI. Emigrantët që vijnë nga shtete të ndryshme të botës dhe që kërkojnë një vend më të mirë për të jetuar përballen me dhunë dhe mungesë strehimi gjatë lëvizjes së tyre në Ballkan. Amnesty International ka publikuar raportin ku theksohet se dhuna ndaj migruesve është konstatuar kryesisht në Maqedoni, Serbi e Hungari.
Nga studimi është konstatuar se në kufirin e Maqedonisë me Greqinë dhe në atë të Serbisë me Maqedoninë, refugjatët dhe migruesit zakonisht janë subjekte të dënimeve të paligjshme dhe keqtrajtimeve nga policia kufitare. Shumë prej tyre detyrohen të paguajnë ryshfete. Një dëshmitar i tha Amnesty International se policia kufitare serbe afër kufirit me Hungarinë, kërcënoi se do të kthejë mbrapsht gjithë grupin nëse nuk paguajnë secili nga 100 euro. Amnesty International deklaron se numri gjithmonë e në rritje i refugjatëve që marrin rrugët e Ballkanit, është rrjedhojë e dështimit të politikave të migrimit dhe strehimit në Bashkimin Evropian, mbi të cilat Serbia dhe Maqedonia nuk ushtrojnë kontroll. Ndër të tjera i bëhet thirrje Serbisë dhe Maqedonisë që të punojnë për të rritur dhe respektuar të drejtat e migruesve dhe refugjatëve. Të gjitha këto problematika sipas Amnesty International kërkojnë një shqyrtim më të gjerë të politikave të migrimit dhe strehimit në BE”. Raporti është mbështetur në katër misione hulumtuese në Serbi, Hungari, Greqi e Maqedoni ndërmjet korrikut të vitit 2014 e marsit të vitit 2015 dhe intervistimit të mbi 100 refugjatëve dhe migruesve.