Autori 19-vjeçar italian u dënua me 14 vite burgim nga një gjykatë italiane dhe duhet të paguajë 1.1 milionë Euro dëmshpërblim për prindërit e shqiptarit të ndjerë, Pandi Lavdari.
Por ky vendim nuk ishte i mjaftueshëm për Jetnor Lavdarin. Ai priste më shumë.
“Me këtë vendim, vdiqa për herë të tretë”.
Kështu është shprehur Jetnor Lavdari pas vendimit të gjykatës, babai i 17-vjeçarit të ndjerë Pandi Lavdari që u vra me thikë në korrik të vitit 2017 në Itali.
‘Herën e parë kur humba djalin, vdiqa dhe unë. Një muaj pas vrasjes kur vrasësi u la në arrest shtëpie, vdiqa për herë të dytë.Dhe tani, me këtë vendim vdiqa për herë të tretë. Prisnim të dënohej me më shumë se 20 vite burgim.Jam i inatosur, ai kishte thikën në xhep, ai vrau djalin tim’, ka thënë Jetnor Lavdari për mediat italiane.
Ai kujton momentin e dhimbshëm kur mësoi se djali i tij ishte plagosur rëndë nga goditja me thikë.’Isha në punë dhe më telefonoi vajza ime në orën 17:00. Shkova me nxitim në urgjencë, dhe në darkë ai vdiq.
Jeta ime ndryshoi tërësisht, nuk mund të gjej qetësi. Djali im ishte një fëmijë i mbarë, atë verë kisha blerë biletat që të shkonim në Shqipëri për pushime.Kur të ktheheshim, kishim menduar të hapnim një dyqan në Stradella ku të punonim si familje’.
Pandi Lavdari 17-vjeçar, u qëllua me thikë nga një adoleshent, një natë pasi ishin konfliktuar fillimisht me njëri-tjetrin në një lokal nate. Sipas mediave italiane, sherri mes tyre ndodhi për një femër, pasi të dy pëlqenin të njëjtën vajzë.
Fatkeqësisht, i riu ndërroi jetë në spital si pasojë e plagës së rëndë të shkaktuar nga goditja me thikë. Autori i vrasjes është dënuar së fundmi me 14 vite burgim nga gjykata.