Akuzat e një dite më parë të kryetarit të Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushi lidhur ndaj opozitës apo akademikëve të tjerë kanë ngjallur disa reagime. Kështu akademiku Artan Fuga i cili pritet të jetë një kandidat për kreun e akademisë së shkencave i ktheu një përgjigje Gjinushit pasi ky i fundit e akuzoi nga Shkodra.
“Përse e lëshuan nervat Skënder Gjinushin i cili nga Shkodra, lëshoi një lumë sharjesh dhe fyerjesh kundër meje, kundër deputetes Ina Zhupa, studjueses së njohur Ledi Shamku, indirekt edhe ndaj akademikut Apollon Baçe. As më shumë e as më pak më quajti “njeri i keq”, “jo përfaqësues i komunitetit”, “injorant”, që nuk njoh matematikën , sikurse nuk kurseu as zonjat e nderuara! Si mund të shpjegohet që dikush që përfaqëson një institucion, Akademinë e Shkencave, sulmon me fyerje dhe sharje të denja për t’i çuar në gjykatë një anëtar të Akademisë të Shkencave vetëm sepse ai nuk mendon si Skënder Gjinushi.
Pa sharje, por e siguroj Skënder Gjinushin se objektivat e shpallura do t’i realizoj me sukses: Ligji në fuqi për akademinë e shkencave nuk mund të ndryshohet para zgjedhjeve sado që ashtu i intereson kujtdo që do pushtet. Dhe do të luftoj me argumente kundër nismës ligjore të konceptuar në kundërshtim me procedurat ligjore nga ana e deputetëve Petro Koçi dhe Ismet Beqiraj. Do të shpalos me argumente dhe fakte se Akademia e Shkencave nuk është në shinat e ligjit dhe se ka abuzime me financimet publike.
Do të argumentoj se modeli për Akademinë e Shkencave, i propozuar nga unë, i hedhur në kosh katër vjet më parë me arbitraritetin e dy a tre deputetëve që sot nuk e di se ku janë, ishte dhe është modeli që duhet”, shkruan akademiku Fuga.
Fuga vijon më tej duke thënë:
“Mua më vjen keq që ligji në fuqi nuk mund të ndryshohet as për Skënder Gjinushin, as për Vasil Tolen, as për mua as për njeri! Eshtë e pamundur. Kur do t’i shpjegohet kjo deputetëve Petro Koçi dhe Ismet Beqiraj, gjithçka do të dalë në dritë qartë. Nisma e tyre është në kundërshtim me ligjin dhe kodin etik të deputetit”. Në fund të këtij reagimi akademiku Fuga ka shpërndarë kronikën e Star Plus TV me deklaratat e kryetarit të akademisë së shkencave Skënder Gjinushi.
Një reagim lidhur me këto deklarata bëri edhe deputetja e PD Ina Zhupa. Në një mesazh në rrjetet sociale, Zhupa thekson se Gjinushi gjeti armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm të Akademisë, dhe vetë foli, por sipas saj nuk qullosi gjë. Sipas deputetes demokrate ndryshimet në lidhje me moshën që duhet të ketë si kriter për kreun e Akademisë së Shkencave duken si kostum me porosi, por me dhëndër rraqe.