Vllaznia U-17 “bombardon” Partizanin ndërsa Vllaznia U-19 vetëm barazon me të kuqtë.

Dy javë, dy fitore, gjashtë gola të shënuar dhe asnjë i pësuar. Ky është bilanci i deritanishëm për ekipin U-17 të Akademisë Vllaznia. Por nëse fitorja 2-0 e javës së kaluar në Kukës ishte disi e pritshme, ajo e sotmja 4-0 brenda në Tiranë ndaj Partizanit, natyrisht që meriton vëmendje. Kuqeblutë e trajnerëve Lika & Xhahysa, kanë zhvilluar një ndeshje të përkryer nga e cila në fund kanë dalë fitimtarë. Në pjesën e parë kanë shënuar dy gola, me anë të Kullës dhe Boriçit. Pavarësisht reagimit të futbollistëve të kuq, shkodranët e kanë administruar mire rezultatin edhe në fillimin e pjesës së dytë dhe me kalimin e minutave kanë arritur të shënojnë edhe dy gola të tjerë, me anë të Kullës sërish dhe Lekës. Përfundimisht 4-0 për Vllaznia U-17 që kryeson me meritë kampionatin pas javës së dytë të tij. Por ndryshe nga ky ekip, ai U-19 nuk ka mundur dot të fitojë në kryeqytet ndaj Partizanit. Pavarësisht rasteve të krijuara nga të dy ekipet, rezultati përfundimtar i takimit ka qenë 0-0. Javën e ardhshme, kuqeblutë do të luajnë ndeshjen e tyre të parë në Shkodër, aty ku në “Reshit Rusi” do të presin ekipet e Laçit, ndaj të cilëve padyshim që do kërkohen fitoret.

Artikulli paraprakISH TË PËRNDJEKURIT, DRANGU: SITUATA PO PËRKEQËSOHET
Artikulli tjetërVLLAZNIA B DO TË LUAJ NË KATEGORINË E DYTË