Ekipet e akademisë Vllaznia në javën e 5-të të Kategorisë Superiore kanë arritur që të ndalin rivalët e Shkëndisë së Tiranës duke marrë një barazim dhe një fitore.
Kështu 17 vjeçarët kuqeblu e kanë mbyllur sfidën me kryeqytetasit në barazim 0-0. Ka qenë një përballje e luftuar nga fillimi dhe deri në fund. Skuadra kuqeblu ka ushtruar më shumë presion tek ekipi kundërshtar. Për Vllazninë nuk kanë munguar as rastet për gol por portieri mik ka shfaqur një formë të mirë duke shpëtuar portën e tij. 90 minutat janë mbyllur në barazpeshë duke mos nxjerrë fitues nga kjo ndeshje. Të dy këto ekipe vijojnë që të kryesojnë tabelën e renditjes duke qenë me 13 pikë secila ndërsa e treta është Tirana me 11 pikë që i ndjek pas. Ndryshe nga 17 vjeçarët, ekipi i U-19 arriti që të marrë një fitore ndaj rivalëve të Shkëndisë. Ka mjaftuar një gol i Dycës në minutën e 78’ që t’i japë fitoren shkodranëve dhe tre pikë tejet të rëndësishme. Skuadra shkodrane ka zhvilluar një lojë më të mirë duke qenë më shumë dominuese ndaj kundërshtarit në fushën e lojës. Ekipi i Shkëndisë e ka patur të pamundur që të barazojë rezultatin në 12 minutat e mbetura sepse Vllaznia ka ditur të mbrohet dhe të administrojë epërsinë e golit. Pas kësaj fitoreje 19 vjeçarët kryesojnë në vendin e parë me 13 pikë ndërsa ndjek Tirana me 12 pikë dhe më pas Partizani dhe Brians me nga 10 pikë. Javën e ardhshme Vllaznia luan në transfertë me Tiranën duke patur sërish dy ndeshje të vështira.