DO TENTOJNË TROFETË, U-17 FITON NDAJ LUSHNJES 4-3, U-19 MUND VLORËN 3-2. Të dy ekipet e akademisë Vllaznia sigurojnë pjesëmarrjen në fazën play off. Skuadra e U-17 fitoi ndeshjen e radhës me ekipin e Lushnjes me rezultatin 4-3 duke bërë që lushnjarët të biën nga kategoria superior.
Me këtë fitore shkodranët do jenë në play off nga ku do të tentojnë fitimin e titullit kampion. Ekipi i U-17 me fitoren ndaj Lushnjes u pozicionua në vendin e 4 me 60 pikë, mjaftueshëm për të qenë në vallen për trofeun. Në këtë mënyrë skuadra që drejtohet nga Alban Volumi pas një sezoni jo shumë të lehtë ka një shans real për ta fituar titullin kampion. Bashkë me Vllazninë në play off janë edhe Teuta, Shkëndija dhe Flamurtari. Ndryshe nga 17 vjeçarët, skuadra e U-19 edhe pse siguroi që javë më parë pjesëmarrjen në play off nuk toleroi në sfidën përballë Vlorës. Të rinjtë e Vllaznisë në një përballje të vështirë arritën që të fitonin me rezultatin 3-2. Ky takim u shoqërua edhe me disa polemika dhe pati edhe ndërprerje të lojës pak para se të mbyllej ndeshja. Pjesa e parë u mbyll 1-0 për Vllazninë me golin e shënuar nga Beci. Në pjesën e dytë barazoi për miqtë nga Vlora Lazaj por pa kaluar 6 minuta nga barazimi Beci realizon sërish. Veizi barazon për të dytën herë 10 minuta nga fundi. Vllaznia nuk dorëzohet dhe Hasani 1 minut pa mbaruar loja vulos në 3-2 rezultatin duke bërë që edhe Vlora pas kësaj humbje të zbresë nga superiorja. Edhe U-19 do të tentojë në play off fitimin e titullit kampion.