Tek Akademia Vllaznia kanë nisur lëvizjet për një strukturim të ri. Kështu, drejtuesit e klubit kuqeblu mësohet se kanë menduar të vendosin një drejtor italian në krye të Akademisë Vllaznia. Në fakt, emri i drejtorit italian që pritet të vendoset në krye të grupmoshave kuqeblu, nuk bëhet ende i ditur, por mësohet se janë zhvilluar takime dhe kontakte të vazhdueshme mes drejtuesve shkodranë dhe italianit për të lidhur një bashkëpunim ndërmjet palëve. Ditën e nesërme, pritet që drejtori italian të mbërrijë në Shkodër dhe të zhvillojë takimin e fundit me drejtuesit e Vllaznisë për të mbyllur dhe zyrtarizuar gjithçka.

Në fakt, drejtuesit kuqeblu kanë pasur kontakte edhe me një turk për ta emëruar si drejtor të Akademisë Vllaznia, por siç duket palët nuk gjetën akordin e përbashkët dhe si rrjedhojë, tashmë shkodranët janë në kontakte me një italian. Natyrisht që, me ardhjen e drejtorit italian pritet të ketë një organizim ndryshe të strukturave të Akademisë Vllaznia për sezonin e ri futbollistik 2023-2024.

Deri më tani, i vetmi ndryshim që është bërë në rradhët e trajnerëve, është emërimi në drejtimin e ekipit Vllaznia U-21 të Vioresin Sinanit. Ndërkohë, me ardhjen e italianit në krye të Akademisë Vllaznia, në ditët në vijim pritet të mësohen zyrtarisht edhe lëvizjet e tjera me emrat përkatës në drejtimin e ekipeve të moshave pranë Akademisë kuqeblu, teksa realisht emrat e trajnerëve që janë lakuar gjatë kësaj periudhe për të marrë drejtimin e grupmoshave të ndryshme, kanë qenë të shumtë. Drejtuesi i ri italian është menduar për t’i dhënë një tjetër ritëm punës tek akademia Vllaznia.

Vitet e fundit kjo ka akademi ka patur problemet e veta kryesisht në prodhimin e lojtarëve cilësor të cilët kanë munguar për një sërë arsyesh. Tashmë mendohet që të ketë një menaxhim tjetër pikërisht për të rritur cilësinë në seancat stërvitore, ndeshjet e ekipeve zinxhir të Vllaznisë dhe ç’është më e rëndësishmja tek prodhimi i lojtarëve cilësor jo vetëm për ekipin e parë por edhe për skuadra të tjera. Vite më parë Vllaznia ka qenë skuadra numër një për prodhim lojtarësh cilësor por tashmë nuk është më e tillë.

Artikulli paraprakPOLICIA SHTON NDËSHKIMET NDAJ SHOFERËVE
Artikulli tjetërNISIN KONCERTET E “SHKODRA SOUNDS”