Skuadrat e akademisë Vllaznia kanë fituar pa probleme ndeshjet e javës së 15-të në kategoritë superiore të U-17 dhe U-19. Fillimisht në fushë kanë zbritur 17 vjeçarët e Vllaznisë të cilët kanë luajtur përballë ekipit të Lezhës Brians.
Ka qenë një sfidë që ka rezultuar e vështirë për kuqeblutë. Mëgjithatë Vllaznia është rikthyer dhe ka luajtur më mirë ndaj lezhjanëve duke arritur që të marrë edhe 3 pikët. Marku për miqtë merr një top nga një goditje dënimi dhe fare pranë portës kalon ekipin e Brians në avantazh. Shkodranët nuk pajtohen me disavantazhin dhe është Parubi që barazon shifrat. Në pjesën e dytë kuqeblutë kanë epërsi në lojë dhe realizojnë edhe dy gola të tjerë me anë të Parubit dhe Rexhepit duke bërë që Vllaznia të fitojë 3-1. Pas kësaj fitoreje 17 vjeçarët e drejtuar nga trajneri Nefail Zhejani mbajnë vendin e 3-të në renditje me 30 pikë ndërsa kampionati kryesohet nga Tirana që ka 39 pikë dhe Shkëndija në vend të dytë me 37 pikë. Në ndeshjen tjetër U-19 ka fituar me rezultatin e thellë 6-1 ndaj ekipit të Brians. 4-0 është mbyllur pjesa e parë. Fillimisht shënon Toma në minutën e 10’ me një goditje nga largësia. Sërish Toma pas 8 minutash realizon me kokë pas një krosimi të saktë në zonë. Në minutën e 25 është Blinishta që shfaqet i vetëm brenda zonës pas një pasimi të shpejtë duke shënuar golin e tretë. Ka kohë edhe për një gol teksa në minutën e 32’ Zogaj shmang bukur portierin dhe mbrojtësit duke çuar në 4-0 shifrat. Edhe në pjesën e dytë dominon Vllaznia. Në një rrëmujë brenda zonës mike përfiton Pusi që pesfishon rezultatin. Brians shënon golin e nderit me anë të Milotit por vlen vetëm për statistikë. Në minutën e 75’ rezultati vuloset në 6-1 pas një goditje të saktë nga Kushi. Me këtë fitore Vllaznia e drejtuar nga trajneri Edmond Doçi mban vendin e parë në renditje me 37 pikë e ndjekur nga Partizani me 36 dhe Shkëndija me 35 pikë. Javën e ardhshme akademia Vllaznia do luaj përballë ekipeve të Laçit në transfertë.