Ekipet e Akademisë Vllaznia kanë mbyllur sezonin 2023-2024, duke ulur siparin e tij. Në fakt, ky sezon nuk ka shkuar ashtu siç duhet për shumë prej ekipeve të Akademisë. Një nga shqetësimet ka qenë mungesa e trofeve, por edhe paraqitjet shumë të dobëta në fushën e blertë. Drejtuesit e klubit, fokusin e kanë tek nxjerrja e futbollistëve cilësorë për ekipin e parë dhe në fakt, në këtë drejtim gjërat deri diku kanë shkuar mirë edhe këtë herë, sepse ditët e fundit dy futbollistë të Akademisë, Zaganjori e Dodaj firmosën me ekipin e parë, teksa në vazhdim priten edhe të tjerë. Megjithatë, kjo nuk mjafton, sepse Vllaznia kërkon edhe më shumë rritjen e cilësisë së punës tek Akademia. Nga sa mësohet, në klubin Vllaznia janë duke menduar për një reformë në rradhët e saj.
Një reformë që mund të përfshijë shumë persona, duke nisur nga kupola drejtuese e duke vazhduar edhe tek stafi i trajnerëve, reformë në fakt e cila për hir të së vërtetës duhet për vetë mungesën e trofeve, por edhe paraqitjet shumë të dobëta në fushën e blertë këtë sezon. Në fillim të këtij viti, u afrua një drejtor nga Turqia, pikërisht Sead Halilagiç, por me shumë të ngjarë kontrata me të nuk do të rinovohet dhe ai do të largohet. Nga ajo që kanë mësuar burimet e “Star Plus”, zëvendësuesi i tij në këtë detyrë pritet të jetë Alban Neziri, një njohje e vjetër e Akademisë Vllaznia, i cili ka qenë edhe më parë në këtë post. Poashtu, bëhet e ditur se do të ketë edhe ndryshime trajnerësh dhe në ditët e ardhshme do të zyrtarizohet çdo gjë, ku do të mësohen emrat konkretë që do të drejtojnë ekipet zinxhirë të Vllaznisë.
Në këtë aspekt, me shumë siguri për sezonin e ri tek Akademia kuqeblu. do të ketë katër-pesë lëvizje trajnerësh. Natyrisht që, me këto ndryshime, pritet të ketë një organizim tjetër të strukturave të Akademisë Vllaznia për sezonin e ri futbollistik, teksa drejtuesit do të fokusohen edhe më shumë për rritjen e cilësisë dhe nxjerrjen e futbollistëve cilësorë. Në fakt, duhet thënë se vitet e fundit, Akademia Vllaznia ka patur problemet e veta, kryesisht në prodhimin e futbollistëve cilësorë që mund të bëjnë diferencën në kampionatin shqiptar, të cilët kanë munguar për një sërë arsyesh…