Java e tretë e kampionateve të moshave ka dhuruar një fitore dhe një humbje për ekipet e Akademisë Vllaznia. Vllaznia U-19, edhe pse u mendua se është një ekip i pathyeshëm, u ndal në ndeshjen e rradhës për kampionat, atë që ka luajtur në Laç ndaj skuadrës vendase, duke humbur në shifrat 2-0. Skuadra laçiane, e drejtuar nga trajneri shkodran Arbër Shytani ka arritur të shënojë dy gola në pjesën e dytë, fillimisht me anë të Guçit në minutën e 48-të dhe më pas, me Myrtën në minutën e 89-të. Vllaznia U-19 e Vioresin Sinanit nuk ka bërë ndeshjen e saj më të mirë dhe në këtë mënyrë, pas dy fitoreve në ndeshjet e para, tashmë është e detyruar të pranojë humbjen e parë.
Nga ana tjetër, Vllaznia U-17 ka marrë fitoren e dytë rradhazi në kampionat, këtë herë ndaj Laçit me rezultatin e pastër 3-0. Takimi u luajt në aneksin e stadiumit të Laçit dhe u dominua nga kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Ersi Çaku. Ato shënuan golin e parë me anë të futbollistit Arbër Bushati në minutën e 35-të dhe pjesa e parë e ndeshjes do të mbyllej vetëm me këtë gol.
Në të dytën, epërsia e ekipit shkodran do të shtohej dhe si rrjedhojë, Vllaznia U-17 do të shënonte edhe dy gola të tjerë, fillimisht me anë të sulmuesit Xhesild Kapllanaj në minutën e 61-të dhe më pas, 10-minuta më vonë do të ishte sulmuesi tjetër Aldo Medha, që do të shënonte edhe golin e tretë dhe të fundit të kësaj ndeshje. Në këtë mënyrë, Vllaznia U-17 fiton 3-0 dhe pas javës së tretë të kampionatit, ka arritur të grumbullojë gjashtë pikë dhe së bashku me Partizanin dhe Skënderbeun ndajnë vendin e dytë të renditjes, ndërsa kryeson Teuta me 7-pikë.