Java e katërt e kampionateve të moshave ka dhuruar një fitore dhe një humbje për ekipet e Akademisë Vllaznia. Kështu, 19-vjeçarët kuqeblu fituan me rezultatin 1-0 në ndeshjen e rradhës për kampionat, atë të luajtur në fushën “Reshit Rusi” ndaj skuadrës së Skënderbeut. Shkodranët, e drejtuar nga trajneri Vioresin Sinani, arritën të shënojnë një gol në fundin e pjesës së parë, me anë të Halilit në minutën e 42-të. Deri në fund, rezultati nuk ndryshoi dhe në këtë mënyrë, Vllaznia U-19 arrin të fitojë 1-0. Pas javës së katërt të kampionatit, 19-vjeçarët kuqeblu kanë grumbulluar 9-pikë, teksa në renditje kryeson Partizani me 10-pikë. Kjo ishte fitorja e tretë e Vllaznia U-19. Nga ana tjetër, Vllaznia U-17 ka pësuar një humbje në ndeshjen e rradhës në kampionat.

17-vjeçarët kuqeblu u mposhtën nga Skënderbeu me rezultatin 1-3. Takimi u luajt në “Reshit Rusi” dhe duhet thënë se Vllaznia U-17 e Ersi Çakut nuk ka bërë ndeshjen e saj më të mirë dhe në këtë mënyrë, pas dy fitoreve rradhzi, tashmë është e detyruar të pranojë humbjen e dytë në kampionat. Skuadra korçare arriti të shënojë tre gola që në fillimin e ndeshjes, teksa për disa minuta, Vllaznia U-17 ishte inekzistente në fushën e lojës. Në pjesën e dytë, ekipi shkodran shton sulmet drejt portës së Skënderbeut dhe si rrjedhojë, Vllaznia U-17 shënon me anë të Bushatit, duke ngushtuar shifrat në 1-3.

Kuqeblutë 17-vjeçarë u munduan të shkurtojnë diferencën sërish deri në fund, por nuk ia arritën dot qëllimit të tyre. Në këtë mënyrë, Vllaznia U-17 humbet 1-3 dhe pas javës së katërt të kampionatit, ka arritur të grumbullojë gjashtë pikë, teksa në renditjen e kësaj grupmoshe kryeson Teuta me 10-pikë.

Artikulli paraprak“MELODI E HESHTUN” EKSPOZITA E FRIDA SELFO
Artikulli tjetërBASKET MESHKUJ, VLLAZNIA MPOSHT TEUTËN