Këta djem që shihni, në dukje si një skuadër amatore e një lagjeje, janë futbollistët e akademisë Vllaznia.
Bëhet fjalë për ekipin U-16 që po zhvillon një nga seancat normale stërvitore. Ashtu si zakonisht është një prej ndeshjeve të kontrollit brenda grupit. Lojtarët nuk kanë të veshur uniformat stërvitore të njëllojta siç duhej të funksiononte në një akademi normale futbolli por mbajnë veshur bluza të llojeve dhe ngjyrave të ndryshme. Kjo përveçse nuk i jep aspak një seriozitet një ekipi siç është ky i akademisë Vllaznia por gjithashtu sjell vështirësi për vetë lojtarët gjatë seancës stërvitore duke e patur më të vështirë funksionimin ashtu siç duhet një ndeshje kontrolli brenda grupit. Ndërsa këta janë disa prej materialeve stërvitore që qartazi shikohet se janë në një gjendje aspak normale, të lidhura me letër ngjitëse. Këta janë topat që përdoren në stërvitje duke na sjellë në mendje fëmijërinë e fillim viteve 90’ kur të vegjlit duke mos patur mundësi shfrytëzonin deri në maksimum topin që mund të kishte një person i vetëm në një lagje. Sot këta topa i përdor një skuadër e akademisë Vllaznia. Nga ana tjetër për të mos mjaftuar, ky fëmijë në vend që ta ketë mendjen tek stërvitja duhet që të mbajë rrjetën e topave në një kohë që prindërit e tij nuk e kanë dërguar për të kryer punët e rëndomta por për t’u stërvitur. Për të mos folur pastaj për rrjeta të vjetruara apo për të tjera hallka që nuk funksionojnë në akademinë Vllaznia.