Akademia Vllaznia, me dy ekipet e saj U-17 dhe U-19, e ka nisur me një humbje dhe një fitore kampionatin. Kështu, në ndeshjet e javës së parë, U-17 është mposhtur me rezultatin 3-1 nga Shkëndija e Tiranës, ndërsa U-19 ka fituar me rezultatin 4-5. Në sfidën e U-17, të luajtur në Qendrën Kombëtare Sportive në Kamëz, futbollistët shkodranë të drejtuar nga trajneri Ersi Çaku e nisën mirë ndeshjen, duke shënuar që në minutën e 10-të me autor Xhesild Kapllanaj. Në minutën e fundit të pjesës së parë, futbollisti Alla i Shkëndijës u ndëshkua me karton të kuq dhe kjo krijoi idenë se fitorja e ekipit shkodran do të bëhej edhe më e lehtë, por nuk ndodhi një gjë e tillë.
Ndërkohë, në pjesën e dytë Shkëndija arriti të barazojë me anë të futbollistit Begaj në minutën e 63-të dhe më pas Lushaku shënoi edhe golin e dytë për ekipin e tij dhe po ashtu edhe të tretin në shtesë dhe në këtë mënyrë, i gjithë takimi është mbyllur me fitoren 3-1 të Shkëndijës së Tiranës. Ndeshja ka patur edhe tension brenda, madje edhe goditje në mes futbollistëve të të dy ekipeve dhe si rrjedhojë ka patur edhe dy kartonë të tjerë të kuq, për Valikajn e Vllaznisë dhe Rajtën e vendasve.
Ndërkohë, në ndeshjen e U-19 në Ballsh Vllaznia U-19 ndodhej në disavantazh me rezultatin 4-1 dhe me 10-futbollistë deri në minutën e 70-të, por në fund gjërat ndryshuan dhe djemtë e drejtuar nga trajneri Vioresin Sinani fituan me rezultatin 4-5. Vendasit kaluan në avantazh me Santos në minutën e 7-të ndërsa për Vllazninë barazoi Zaganjori. Bylis U-19 shënon edhe tre gola të tjerë njëri pas tjetrit, pikërisht dy me të njëjtin autor Arbrin dhe tjetrin me Përndrecën.
Në këtë mënyrë, pjesa e parë do të mbyllej me shifrat 4-1 në favor të mallakastriotëve. Në minutën e 70-të, sulmuesi Dodaj do të shënonte golin e dytë për Vllaznia U-19. Tre minuta më vonë Halili shënon golin e tretë dhe, rihap ndeshjen. Ndërkohë, në minutën e 80-të, Hajdari barazon shifrat në 4-4. Në fund Zaganjori i jep fitoren Vllaznisë në shifrat 5-4. Kështu 19-vjeçarët kuqeblu e nisi sezonin me një fitore të rëndësishme.