Ekipet e akademisë Vllaznia kanë marrë një humbje dhe një fitore në javën e parafundit të kampionatit të moshave.
Në këtë mënyrë 17-vjeçarët kuqeblu kanë bërë një humbje të thellë ndaj Tiranës, ekip që mban vendin e parë në renditje. Edhe pse ndeshja është luajtur në Shkodër U-17 ka humbur 8-1 ndaj bardhebluve të kryeqytetit. Një humbje kjo e pakuptimtë. Tiranasit kanë dërrmuar skuadrën shkodrane që në pjesën e parë teksa i kanë shënuar plot 6 gola.
Për 9 minuta Vllaznia U-17 pëson 3 gola teksa realizojnë për miqtë Bakaj, Çakri dhe Selimi. Në pjesën e parë është radha e Brahjes për të çuar në 4-0 shifrat në minutën e 25 ndërsa pas 7 minutash Tabaku për Tiranën shënon golin e pestë. Pa mbaruar ende pjesa e parë është sërish Çakri që 6-fishon rezultatin ndërsa 17 vjeçarët shkodran nuk iu besojnë syve. Pjesa e dytë nis me një gol të Vllaznisë teksa Boriçi shënon golin e nderit. Tirana nuk ndalet dhe realizon edhe dy herë të tjera me anë të Bakaj dhe Qekut duke fituar kështu 8-1 në Shkodër. Ndeshja e fundit për U-17 është me Laçin në transfertë.
17 vjeçarët e mbyllin këtë sezon në vendin e katërt duke mos qenë në fazën play off për titullin kampion. Nga ana tjetër U-19 arriti që të fitojë 2-0 me Kukësin në javën e parafundit. Pjesa e parë mes dy ekipeve ka më shumë balancë dhe mbyllet me rezultatin 0-0. Në 45 minutat e dyta Vllaznia shton presionin dhe arrin që të gjejë rrugën e golit me anë të Lekës në minutën e 58. 19 vjeçarët ruajnë avantazhin dhe shënojnë edhe golin e sigurisë me Rajçeviç në minutën e 79 duke fituar kështu 2-0. 19 vjeçarët janë në vendin e parë me 62 pikë duke qenë kështu ekip pjesëmarrës në fazën play off ku diskutohet titulli kampion. Javën e fundit U-19 luan në transfertë me Partizanin e vendit të dytë, sfidë e cila do të vendosë përfundimisht për se kush do e mbyllë në vendin e parë sepse të kuqtë kanë 61 pikë dhe më pas vjen Tirana me 55 pikë.