Në orët e para të së dielës, 28 tetor, akrepat e orës janë kthyer mbrapa 60 minuta, ora 03:00 është bërë 02:00.
Pas orës ligjore, që kishte hyrë në fuqi të dielën e fundit të marsit 2018, i rikthehemi orës diellore. Pra do të na takojë të flemë një orë më shumë në mëngjes, por pasdite errësira do të vijë një orë më parë, ndryshim që tregon hyrjen në stinën e dimrit. Për pesë muaj akrepat e orës do të shënojnë orën natyrore.
Ora ligjore është vënë në veprim në vitin 1966, gjatë viteve të krizës energjetike. Shteti i parë që e ka futur ishte Italia në vitin 1916. Ideja e orës ligjore i njihet shpikësit të rrufepritësit Benjamin Franklin, në vitin 1784.
Në shkurtin e këtij viti Parlamenti Europian ka kërkuar rishikimin e kohës së kursyer nga ndryshimi i orës, një masë që mund të ndalë ndryshimin e orës. Ligjbërësit e Bashkimit Europian i bënë thirrje Komisionit të fillojë një “vlerësim të plotë” të sistemit aktual dhe të dalë me plane të reja, nëse është e nevojshme.
Mbështetësit e sistemit aktual thonë se kursen energji dhe redukton aksidentet nga trafiku. Ligji aktual i Bashkimit Europian përcakton një datë të zakonshme në pranverë dhe në vjeshtë, në të cilën orët vendosen përpara dhe të kthehen pas në të gjitha shtetet anëtare.