Një aksident i rëndë ka ndodhur në aksin Shkodër-Hani Hotit. Shtetasi Martin Lulaj, 38 vjeç banues në fshatin Hot të Malësisë së Madhe humbi jetën. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 8 dhjetorit, rrethes orës 21:00 në afërsi të rretherrotullimit të Bajzës në Malësinë e Madhe, bën të ditur policia vendore e Shkodrës. Mësohet se 38 vjeçari po udhëtonte me automjetin e tij tip Opel me targë AB 934 BS kur papritur ka dalë nga rrugë duke rënë në kanal, përplasje që i mori jetën në mënyrë të menjëhershme.
Menjëherë në vendngjarje mbërritën forcat e policisë për të nisur hetimet dhe një ambulancë e shërbimit kombëtar të urgjencës por 38 vjeçari ndërroi jetë duke mos arritur që të shpëtojë. Viktima humbi jetën teksa po transportohej me ambulancën drejt spitalit rajonal të Shkodrës pasi kishte pësuar dëmtime të rënda në trup duke mos arritur që t’i përballojë.
Nga hetimet paraprake të ekspertëve të policisë rrugore dyshohet se shtetasi Martin Lulaj ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë makina e tij ka dalë nga rruga duke rënë në kanal. Janë ende të paqarta arsyet e daljhes nga rruga të 38 vjeçarit Lulaj që gjeti vdekjen në këtë aksident rrugor ndërsa grupi hetimor vijon punën për të nxjerrë të plota shkaqet e këtij aksidenti.
Gjithsesi ajo që mbetet një problem prej kohësh tashmë është mungesa e ndriçimit përgjatë gjithë aksit Shkodër-Hani Hotit. Errësira e plotë në këtë rrugë të rëndësishme e cila lidh Shqipërinë me Malin e Zi vijon që në shpesh raste të bëhet burim aksidentesh rrugore në disa raste edhe me pasoja fatale për jetën apo me të plagosur në gjendje të rëndë.
Shkaku kryesor i aksidenteve rrugore në atë aks por edhe rrugë të tjera mbeten shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor, përdorimi i celularit, alkoolit apo shpejtësia mbi normat e lejuara. Policia rrugore e Malësisë së Madhe por edhe e Shkodrës ka shtuar numrin e gjobave për drejtuesit e automjeteve por sërish numri i aksidenteve rrugore vijon që të jetë shqetësues për shkak të mungesës së ndërgjegjësimit të shoferëve.