Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e vona të pasdites të 16 shkurtit. Një aksident në rrugën Shkodër-Malësi e Madhe i ka marrë jetën një shtetaseje. Kështu Albana Çulaj, 49 vjeçe banuese në Koplik ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti rrugor. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:25 në fshatin Pjetroshan të Malësisë së Madhe.
Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur një ambulancë e shërbimit kombëtar të urgjencës por 49 vjeçarja nga goditja e fortë nuk ka arritur që të mbijetojë. Autor i dyshuar i këtij aksidenti me pasojë është shtetasi Besnik Jubani 51 vjeç i cili po udhëtonte me makinën e tij. Pa pritur 51 vjeçari ka përplasur 49 vjeçaren e cila nuk arriti që të mbijetojë.
Pas këtij aksidenti të ndodhur menjëherë drejtuesi i mjetit Besnik Jubani është shoqëruar në mjediset e policisë së Shkodrës për veprime të mëtejshëm dhe më pas është bërë ndalimi i tij si autor i dyshuar i këtij aksidenti të rëndë. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur edhe forcat e policisë rrugore dhe grupi i ekspertizës duke nisur hetimet pas këtij aksidenti pa pasojë jetën e një shtetaseje.
Nga hetimet paraprake dyshohet se ky aksident ka ardhur si shkak i mos respektimit të rregullave të qarkullimit rrugor. Një arsye e cila ka ndikuar në këtë përplasje fatale për 49 vjeçaren Albana Çulaj është edhe errësira në afërsi të fshatit Pjetroshan ku ndodhi aksidenti. Aksi nacional Shkodër-Hani i Hotit vazhdon që të jetë një njollë e zezë në rang kombëtar për aksidentet që një pjesë e mirë janë me pasojë në jetë njerëzish.
Shpejtësia tej normave të lejuara, mos respektimi i rregullave të qarkullimit rrugor, përdorimi i celularit apo edhe errësira në pjesën më të madhe të atij segmenti bëjnë që numri i aksidenteve të jetë i lartë dhe këto aksidente të jenë të shpeshta. Policia rrugore ka shtuar masat ndëshkuese me gjoba për drejtuesit e mjeteve por kjo nuk ka mjaftuar për të ndërgjegjësuar shoferët dhe për të ulur numrin e aksidenteve në aksin Shkodër-Hani Hotit.