Dy persona mbeten të plagosur, pasi automjeti me të cilin udhëtonin humbi kontrollin dhe u përmbys. Aksidenti ndodhi rreth orës 19:00 të mbrëmjes të së mërkures në rrugën e vjetër Milot-Laç, pranë fshatit Shullaz të Kurbinit. Të plagosurit të cilin lëviznin me një automjet tip Volsvagen Sharon u dërguan me urgjencë për ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës në Tiranë, nga ku mësohet se ndodhen nën kujdesin e bluzave të bardha jashtë rrezikut për jetën.
Policia e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes nisi hetimet për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të këtij aksidenti që paraprakisht dyshohet të ketë ndodhur nga lagështira në rrugë dhe shpejtësia tej normave të lejuara e drejtuesit të automjetit. Aksidentet rrugore në akset e Lezhës vijojnë që të jenë një problem shqetësues, shpesh herë me viktima apo të plagosur rëndë. Këto aksidente vijnë kryesisht nga mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor, tejkalimi i shpejtësisë tej normave të lejuara, përdorimi i celularit apo edhe konsumimi i alkoolit.
Policia e Lezhës ka shtuar kontrollet dhe masat ndëshkuese për drejtuesit e automjeteve por sërish shoferët vijojnë të mos ndërgjegjësohen duke shkaktuar më pas aksidente rrugore disa herë me pasoja fatale e në shumë raste me të plagosur rëndë apo edhe të lënduar.
Ajo që kërkohet është që drejtuesit e mjeteve të sensibilizohen për të respektuar rregullat e qarkullimit rrugor në mënyrë që të shmangen aksidentet në akset e Lezhës, qoftë ato kryesore por edhe në rrugët dytësore apo akse të vjetra si në këtë rast rruga e vjetër Milot – Laç.