Një aksident ka ndodhur në aksin Shkodër-Hani Hotit. Dy mjete janë përplasur me njëra-tjetrën në këtë aks rrugor nacional që lidh Shqipërinë me Malin e Zi.
Një mjet ngjyrë grih me targë AA 433 XR është përplasur me një mjet tjetër ngjyrë e kuqe.
Sipas burimeve nga vendngjarje drejtuesit e mjeteve dhe personat që ndodheshin brenda tyre kanë marrë dëme por janë jashtë rrezikut për jetën. Pavarësisht se kanë shpëtuar të aksidentuarit janë transportuar në spitalin rajonal të Shkodrës për të marrë ndihmën e parë mjekësore dhe pas ekzaminimeve kanë rezultuar se janë jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje kanë mbërritur edhe forcat e policisë vendore të Shkodrës. Ekspertët e policisë menjëherë kanë nisur punën për të bërë hetimet paraprake tek ky aksident i ndodhur në aksin nacional Shkodër-Hani Hotit.
Burime pranë policisë vendore të Shkodrës bëjnë me dije se shkak i këtij aksidenti të ndodhur është shpejtësia tej normave të lejuara e dy mjeteve që janë përplasur me njëra-tjetrën. Edhe dëshmitarë të tjerë që kanë parë këtë ngjarje deklarojnë se shpejtësia e mjeteve në fjalë ka shkaktuar këtë aksident.
Aksi nacional Shkodër-Hani Hotit vazhdon që të jetë një segment problematik dhe një nga njollat e zeza për policinë sa i përket aksidenteve të ndodhura. Thuajse gjatë gjithë kohës drejtuesit e mjeteve nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe po ashtu ecin me shpejtësi tej normave të lejuara duke sjellë këto aksidente që shpesh herë kohët e fundit kanë qenë edhe me viktima apo të plagosur rëndë.
Policia rrugore e Shkodrës ka shtërnguar masat e saj edhe në këtë aks rrugor duke gjobitur drejtuesit por sërish ndërgjegjësimi i tyre mbetet i ulët gjë e cila më pas bëhet shkak për aksidente të rënda. Disa herë policia ka bërë thirrje që shoferët të bëjnë kujdes dhe të respektojnë rregullat por këto thirrje neglizhohen gjë e cila sjell më pas përplasjen e mjeteve. Në sezonin e verës fluksi në aksin Shkodër-Hani Hotit është edhe më i madh e po ashtu shtohet edhe rreziku për aksidente.