Një aksident i rëndë automobilistik me pasojë dy të vdekur dhe dy të plagosur, ndodhi mbrëmë në aksin rrugor Tapizë-Kamëz rreth orës 23:00.
Një automjet në të cilin po udhëtonin katër persona, humbi kontrollin duke dalë nga rruga, lëvizje e cila ka rezultuar fatale për dy prej tyre.
Makina tip Audi u përplas me një tabelë reklamash, ndërsa viktimat janë drejtuesi i mjetit me iniciale E.H, 34 vjeç dhe një pasagjere 28-vjeçare me iniciale Rr.Gj.
Policia dhe ambulanca mbërritën në vendin e ngjarjes pas njoftimit nga kalimtarët e rastit, ndërsa dy pasagjeret e tjera u dërguan për në spital për të marrë ndihmën mjekësore, nga ku mësohet se ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit, por paraprakisht dyshohet se lagështia në rrugë dhe mungesa e ndriçimit kanë shkaktuar ngjarjen e rëndë.