NGJARJA NDODHI NË AKSIN KOMAN – VAU DEJËS, MAKINA BIE NË HUMNERË.Ka rezultuar fatale humbja e kontrollit të makinës me të cilën po udhëtonin 4 personat e aksidentuar. 2 prej tyre, Helidon Druni dhe Agim Kasemi kanë humbur jetën ndërsa kanë mbetur të plagosur shtetasit Artan Bajrami dhe Edmond Kola. Ngjarja ka ndodhur në aksin Koman – Vau Dejës pranë fshatit Karm.

Nga hetimet në vendngjarje policia arriti në konkluzionin se shkak i këtij aksidenti tragjik ishte humbja e kontrollit nga drejtimi i lëvizjes. Mjeti tip fouristradë me targë TR 81 45 P drejtohej nga shtetasi Helidon Druni. Katër të aksidentuarit punonin si roje në hidrocentralin e Komanit dhe si zakonisht pas përfundimit të orarit të punës janë nisur drejt Shkodrës. Kur kanë mbërritur në fshatin Karm fillimisht në një prej kthesave janë përplasur në anën e malit. Pasi kanë bërë disa metra jashtë kontrollit  më pas kanë rënë nga një lartësi prej afro 50 metër duke përfunduar në një shkëmb. Fillimisht në vendngjarje ndihmesën e parë e kanë dhënë banorët aty pranë dhe shoferët e rastit. Nxjerrja e viktimave deri në rrugë nga humnera ka qenë e vështirë për shkak të terrenit të thepisur. Pas marrjes së njoftimit në vendngjarje kanë mbërritur policia, zjarrëfikësit dhe dy ambulanca të cilat kanë bërë dhënien e ndihmës së parë për të plagosurit dhe më pas transportimin e viktimave dhe të plagosurve në spitalin rajonal të Shkodrës. Dy të plagosurit, Artan Bajrami dhe Edmond Kola mësohet se janë transportuar me helikopter drejt spitalit ushtarak. Në rrugën ku ndodhi aksidenti tragjik, mungon sinjalistika e po ashtu prej vitesh pushteti lokal e ai qëndror nuk kanë bërë asnjë investim. Ai segment nuk ka mbrojtëse si dhe është tërësisht i amortizuar duke sjellë herë pas here aksidente.

[iframe width=”300″ height=”390″ src=”//www.youtube.com/embed/zWUezWGHd1o” frameborder=”0″ allowfullscreen ]
Artikulli paraprakPD, FALENDERON QYTETARËT E SHKODRËS
Artikulli tjetërPROBLEMET FIZIOTERAPEUTIKE NË RRITJE