10 aksidente në një muaj.

Ky është bilanci i 11 muajve të këtij viti.Në bazë të burimeve nga drejtoria vendore e policisë së Shkodrës janë shënuar afro 120 aksidente rrugore. Rreth 30 persona kanë kanë humbur jetën, ndërsa dhjetra të tjerë janë plagosur rëndë ndërsa më i lartë është numri i shtetasve të plagosur lehtë. Në këtë mënyrë më shumë se dy persona në muaj sipas policisë humbin jetën vetëm si shkak i aksidenteve automobilistike. Në shumë raste shkak i aksidenteve është shpejtësia dhe mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor nga shoferët por jo pak problem janë edhe rrugët e Qarkut Shkodër. Sipas të dhënave nga policia aktualisht në të gjithë Qarkun janë 13 akse rrugore që cilësohen si njolla të zeza për aksidentet. Në rrethin e Shkodrës cilësohen si njolla të zeza akset Shkodër- Bushat, Shkodër-Vija e Vrakës, Shkodër-Velipojë, Shkodër-Mjedë, Shkodër-Muriqan dhe Krye Bushat-Mjedë. Në rrethin e Malësisë së Madhe janë njolla të zeza segmentet Vija e Vrakës-Koplik-Hani i Hotit ndërsa në rrethin e Pukës problematike janë rrugët Pukë-Fushë Arrës, Hadroj-Qafë Bene, Fushë Arrës-Qafë Shllak, Qafë Mali-Fierzë dhe Qafë Qerret-Qelez. Gjatë këtij11 mujori të vitit 2016, janë arrestuar në flagrancë rreth 140 drejtues mjetesh për “Drejtim mjeti pa leje drejtimi” dhe “Nën ndikimin e pijeve alkolike”. Nga këto, afro 40 raste janë në Sektorin e Policisë Rrugore Malësi e Madhe për “Drejtim mjeti pa leje drejtimi” dhe afro 90 raste në Seksionin e Policisë Rrugore Shkodër. Seksioni i Policisë Rrugore në Pukë ka shumë më pak të arrestuar. Pavarësisht sensibilizimit apo edhe masave disiplinore aksidentet në Qarkun Shkodër vazhdojnë që të jenë një fenomen problematik duke marrë jetë njerëzisht. Jo vetëm për ndërgjegjësimin e shoferëve por një ndërhyrje duhet edhe në infrastrukturë të paktën në 13 segmentet e rrezikshme që janë një burim aksidentesh.

Artikulli paraprakMBETJET, SAZAN GURI: KATEGORIKISHT KUNDËR!
Artikulli tjetër“JE PREJ SHKODRET NË QOFTË SE…”, SUKSES QË NË PRËMIERË