Dy aksidente me pasojë vdekjen e dy kalimtarëve janë regjistruar këtë të shtunë në Qarkun e Shkodrës.
Aksidentet kanë ndodhur brenda një ore. Aksidenti i parë ndodhi rreth orës 16:40 në aksin Shkodër-Koplik, në hyrje të qytetit të Koplikut, pranë lokal ‘Brajan’. Një mjet tip ‘Ford’ me targa AA225 HV, i drejtuar nga shtetasi Edison Bruçi, vjeç 30, banues në fshatin Gradec, Malësi e Madhe, ka përplasur këmbësorin, 60 vjeç. Mësohet se viktima banonte në fshatin Grudë-Fushë, në Malësi të Madhe. Burimet policore shtojnë se përplasja ka qenë e fuqishme duke i shkaktuar këtij të fundit vdekjen e menjëhershme. Aksidenti i dytë është regjistruar rreth orës 17:30 në hyrje të qytetit të Shkodrës. Burime nga vendngjarja raportojnë se aksidenti ka ndodhur në vendin e quajtur Beltoje, në Shkodër, ndërsa viktima është një kalimtar. Sipas të njëjtave burime, viktima Rexhep Becaj, 50-vjeç ishte endacak dhe po mblidhte kanaçe anës rrugës, në momentin që është përplasur nga automjeti. Drejtuesi i automjetit, shtetasi Nikolin Shati, 45-vjeç është ndaluar tashmë nga policia.