Një aksident i frikshëm ndodhi afro një vit më parë në fshatin Rrenc të njësisë Gur i Zi në Shkodër. 7 persona mbetën të plagosur mes të cilëve edhe babë e bijë, Viktor Ndreka 35 vjeç dhe Lorena Ndreka 17 vjeçe. 35 vjeçari ka marrë dëmtime të rënda ndërsa lëviz me shumë vështirësi dhe është i paaftë për punë ndërsa i është nënshtruar 5 operacioneve të kushtueshme deri më tani.
Vajza e tij 17 vjeçe ka mbetur e paralizuar dhe po kurohet jashtë Shqipërisë. Vëllai i Viktorit, Fredi Ndreka është personi i cili thotë se pavarësisht atij aksidenti të rëndë të shkaktuar nuk po gjen drejtësi për 24 vjeçarin Kristiano Vaso i cili ka qenë i alkoolizuar kur ka ndodhur kjo ngjarje.
Ditën e sotme u zhvillua një seancë për dërgimin e çështjes në gjyq në gjykatën e shkallës së parë në Shkodër dhe tashmë pritet të nisin gjyqet e themelit për autorin që shkaktoi aksidentin.
Fredi Ndreka kërkon një vendim të drejtë dhe të shpejtë nga gjykata sepse deri më tani ka patur shumë vonesa në mënyrë që të mos shkohet në hakmarrje. Edhe para 7 viteve i njëjti person, Kristiano Vaso ka aksidentuar për vdekje një tjetër mbesë të familjes Ndreka.
Vështirësitë për të përballuar kurimin e të vëllait dhe mbesës së tij të paralizuar janë shumë të mëdha për familjen Ndreka ndërsa përmes fotografive tregon gjendjen e personave që u aksidentuan para një viti.
Në aksidentin e ndodhur para një viti pas një orë si shkak i përplasjes së fortë të dy mjeteve u arrit që të nxirret nga makina një nga të aksidentuarit rëndë Viktor Ndreka ndërsa ende sot vijon t’i nënshtrohet operacioneve ashtu siç vajza e tij e paralizuar. Aksidentet në Shkodër janë kthyer në një shqetësim për shkak numrit të shtuar dhe pasigurisë në shumë akse rrugore.