POLICIA E TIRANËS ARRESTON EMILJANO PELUSHIN SI SHKAKTAR TË AKSIDENTIT. Në hyrje të autostradës Tiranë-Elbasan pranë Mulletit ku ndodhi aksidenti që i mori jetën Fleura Kolës, shpejtësia maksimale me të cilën duhet të udhëtojnë automjetet është 30 kilometër në orë. Por drejtuesi i Audit që përplasi makinën Benz CLS të gazetarit Çim Peka ku udhëtonte dhe vajza e ish-ambasadorit në Romë Kola, e ka anashkaluar totalisht tabelën që përcaktonte kufirin e shpejtësisë, duke ecur me 80 kilometër në orë.

Mbi këto rezultate paraprake, Policia e Tiranës arrestoi mëngjesin e kësaj të premteje Emiljano Pelushin si shkaktar të aksidentit që ndodhi rreth orës 19:30 në afërsi të Mulletit ku humbi jetën 29-vjecarja Fleura Kola dhe u plagos gazetari Peka. Por jo vetëm kaq, Pelushi ka qenë duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur. Burime nga Policia Rrugore thanë se Pelushi rezultoi me 0.7 % në testin e alkoolit.   Gazetari Cim Peka dhe Fleura Kola, punonjëse në Ministrinë e Drejtësisë ktheheshin nga Elbasani drejt Tiranës. Makina e gazetarit Peka me targa AA 099 GB u kthye permbys si pasoje e perplasjes. Automjeti i dytë i përfshirë në aksident Audi me targa AA 566 HT drejtohej nga Emiljano Pelushi, i cili ka mbetur i plagosur. Një ditë para aksidentit gazetari festoi 40-vjetorin e lindjes, ndërsa në maj Fleura Kola mbushte 30 vjeç. Pas ndërhyrjes kirurgjikale në Spitalin Amerikan, Peka ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa Emiljano Pelushi ndodhet ende në spital ku po kurohet dhe pas komunikimit të arrestit pritet të dalë në gjykatë për tu njohur me masën e sigurisë ndaj tij.

Artikulli paraprakHAPJA E DOSJEVE, JAVËN E ARDHSHME PR/LIGJI NË KUVEND
Artikulli tjetërGODITJA ME MJETE TË FORTA E 67 VJEÇARIT, NDËRRON JETË NË SPITAL