Motorçikletat në Shkodër dhe njësitë administrative po kthehen në vrastare për drejtuesit e tyre. Disa nga pakujdesia, disa të tjerë nga shpejtësia apo edhe arsye të tjera aksidentohen duke dëmtuar veten e tyre apo edhe të tjerë kalimtarë.

Gjithashtu janë të shumta rastet kur mjetet aksidentojnë këto motorçikleta duke marrë edhe jetën e drejtuesve të tyre apo duke i lënë të plagosur rëndë. Tashmë një tjetër rast është shënuar ditët e fundit.

Një 41 vjeçar me inicialet J.V banues në fshatin Bardhaj ka qenë duke ecur me motorçikletë në afërsi të fshatit të tij kur pa paritur ka dalë nga rruga dhe është dëmtuar. 41 vjeçar ka marrë plagë të rënda dhe është në gjendje të rëndë shëndetësore.

Fillimisht është dërguar në spitalin rajonal të Shkodrës por duke parë gjendjen e tij 41 vjeçari është dërguar në spitalin e Traumës në Tiranë ndërsa po lufton me vdekjen. Nga verifikimet e policisë vendore të Shkodrës 41 vjeçari nuk kishte as targë në motorçikletën e tij ndërsa as leje drejtimi për motorin që po drejtonte me të cilin u aksidentua.

Policia vendore e Shkodrës shpesh herë ka marrë masa të rrepta ndaj drejtuesve të motoçikletave duke i gjobitur apo duke i bllokuar mjetet por sërish vijojnë të mbeten një problem dhe burim për aksidente.

Vetëm në këto tri muajt e fundit numri i aksidenteve me vdekje apo të plagosur rëndë në Shkodër dhe njësitë administrative është shqetësues qoftë për policinë por edhe vetë komunitetet.

Artikulli paraprakTËRMETI “SHKUND” MALËSINË E MADHE
Artikulli tjetërPOLICIA E LEZHËS OPERACIONE ME FNSH SHKODËR