Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për shtetasin David Gjonaj i cili aksidentoi për vdekje dy turistët polak Valdemar dhe Marta Makovski, ngjarje e ndodhur më 6 maj në rrugën Shkodër-Tiranë. 27 vjeçari Gjonaj deklaroi përpara gjykatës së Shkodrës se aksidenti ka ndodhur nga një pakujdesi e tij. Prokurori i prokurorisë së rrethit gjyqësor në Shkodrës Gëzim Spahiu kërkoi masën e sigurisë “arrest me burg” për 27 vjeçarin ndërsa gjyqtarja e shkallës së parë Izabela Radovani pranoi këtë kërkesë duke e lënë në dhomat e paraburgimit shtetasin David Gjonaj.
Çifti i polakëve Valdemar dhe Marta Makovski kishin ardhur për të kaluar disa ditë pushime por ky udhëtim u kthye në një tragjedi. Çifti i turistëve nga Polonia humbën jetën në aksidentin tragjik të ndodhur më 6 maj në aksin Shkodër-Tiranë në afërsi të fshatit Shkjezë në zonën e Bushati. Viktimat, 47 vjeç dhe 42 vjeçe po udhëtonin me këtë motor në drejtim të Tiranës kur papritur janë përplasur me automjetin tip GOLF 5 të drejtuar nga shtetasi David Gjonaj nga Puka i cili kishte marrë me qera automjetin në të cilin ndodhej.
Dy turistët polak nga përplasja e fortë humbën jetën menjëherë në vendin e ngjarjes. Menjëherë mbërritën forcat e policies duke nisur hetimet për aksidentin e rëndë që i mori jetën dy turistëve polak Valdemar dhe Marta Makovski. Nga hetimet e deritanishme mësohet se ky aksident ka ardhur si shkak i mosrespektimit të rregullave të qarkullimit rrugor nga një lëvizje e gabuar e drejtuesit të autmojetit i cili i preu rrugën dy turistëve.
Ndërkohë pas përplasjes së fortë me dy viktima efektivët arrestuan shtetasin David Gjonaj. Policia vendore e Shkodrës bëri të ditur se pas testit ka rezultuar se drejtuesi i automjetit nuk kishte konsumuar alkool. Rruga Shkodër-Tiranë vijon të mbetet një prej akseve problematike sa i përket aksidenteve rrugore ku shumica ndodhin si shkak i mos respektimit të rregullave të qarkullimit rrugor.