“Puthe çunin”. Ishte kjo porosia që 31-vjeçari Edmond Asllani nga Patosi u dha familjarëve të tij pasi doli nga Gjykata e Fierit.

Gjyqtarja Marsela Dervishi e la në arrest me burg si shkaktar i aksidentit të së martës në aksin Fier-Levan ku humbi jetën një 27-vjeçare shtatzanë dhe u plagosën 5 persona të tjerë.

Sipas prokurores së çështjes Ervisa Hyka, 31-vjeçari i cili drejtonte një automjet tip Benz ka bërë një manovër të gabuar duke tentuar të kryejë një parakalim, çka ka sjellë përplasjen me dy automjete të tjera, një Benz dhe një Audi.

Në këtë të fundit ndodheshin si pasagjerë viktima me djalin 7-vjeçar, ndërsa vjehrri i saj 64 vjeç drejtonte automjetin.

Të plagosurit ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën. Në seancën gjyqësore të zhvilluar me dyer të mbyllura, u lexuan raportet e ekspertëve, por edhe dëshmitë e personave të plagosur.

Aksi Fier – Levan vijon të regjistrojë një numër të madh aksidentesh për shkak të mungesës së elementëve të sigurisë, por edhe pakujdesisë së drejtueseve të mjeteve në këtë kohë kur ky segment njeh fluksin më të madh të trafikut.

Artikulli paraprakSEKUESTROHEN 7 KILOGRAMË LËNDË NARKOTIKE, NË PRANGA POSEDUESI
Artikulli tjetërSHQIPËRIA NDËR VENDET ME KONSUMIN MË TË ULËT TË ALKOOLIT NË BOTË