Tetë policë janë plagosur nga aksidenti i autoblindës në fshatin Grabovc afër Zveçanit në veri të Kosovës të premten në mbrëmje, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Aksidenti u shënua pak pas orës 20:00, të 13 dhjetorit, në veri të vendit, konkretisht në Fshatin Grabovc. Një veturë zyrtare e blinduar në të cilën kanë qenë tetë operatorë, dyshohet se ka rrëshqitur dhe ka dalë jashtë rrugës.
“Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalur njësitet kompetente policore për tu marrë me rastin, e po ashtu janë njoftuar edhe ekipet mjekësore me autoambulanca. Si pasojë e aksidentit zyrtarët policorë kanë pësuar lëndime, dhe të njejtit nga ekipet mjekësore janë dërguar në qendrën spitalore për trajtim të mëtejmë mjekësor”, ka thënë Elshani.
Laura Nushi, drejtoreshë e Spitalit të Mitrovicës, ka bërë të ditur se policët e lënduar janë jashtë rrezikut për jetë.
“Ekipet kujdestare janë mobilizuar dhe është aktivizuar shtabi emergjent dhe kanë reaguar në një veprim të menjëhershëm. Pas ekzaminimeve të bëra, gjendja e të gjithë zyrtarëve policorë mund të themi se është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë. Për ekzaminime shtesë janë dërguar tre prej tyre në QKUK e pesë të tjerë janë lëshuar për në shtëpi”, ka thënë ajo.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, u shpreh se gjendja e tyre 3 policëve të tjerë është stabël dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
I vizitova sonte dhe mjekët më njoftuan se gjendja e tyre është stabile dhe për momentin jashtë rrezikut për jetë. Njëri do të transferohet në Klinikën e Ortopedisë, njëri në Klinikën e Kirurgjisë Torakale dhe njëri pas observimit në Klinikën Emergjente pritet të tranferohet në Klinikën e Neurokirurgjisë. I gjithë stafi në spitalin e pergjithshëm në Mitrovicë dhe Klinikën Emergjente në QKUK janë mobilizuar duke reaguar shpejt dhe në menyrë profesionale.I uroj shërim dhe kthim të shpejtë në detyrë secilit”, tha ministri i Shëndetësisë.