Tregtarët e duhanit në lagjen Rus të qytetit të Shkodrës kanë rënë pre e një aksioni të befasishëm nga ana e oficerëve të antikontrabandës pranë Drejtorisë së Doganave.
Pa asnjë paralajmërim dhe pa shumë shpjegime, dhjetëra kg duhan i tharë dhe i gatshëm për t’u shitur janë sekuestruar brenda pak minutash. Për tregtarët kjo është një goditje e rëndë dhe aksion i padrejtë, pasi sipas tyre e vetmja mundësi që u ka mbetur është të largohen nga Shqipëria. Ky rast sekuestrimi ka dëmtuar punën e gjatë disa mujore të shumë tregtarëve, të cilët në mungesë të një tregu janë të detyruar të shesin në kushte ilegaliteti. Gjatë këtij viti nuk ka patur aksione për sekuestrimin e duhanit. Ndërhyrjet e fundit në këto pika shitjeje kanë qenë gjatë muajve Korrik e Gusht të 2015-s.