Shërbimet e Komisariateve të Policisë Lezhë dhe Mirditë, të pajisura me dronë, kanë vijuar kontrollet në zona të pyllëzuara të qarkut, me qëllim parandalimin, konstatimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike. Si rezultat, u finalizua faza e 27-të e megaoperacionit policor antikanabis, në nivel qarku, të koduar “Imazhi”, ku në fshatin Kashnjet të njësisë administrative Ungrej, rrethi Lezhë, janë gjetur të kultivuara në tokë në zonë të shpyllëzuar 2400 bimë, si dhe në fshatin Zall Xhuxhë të njësisë administrative Fan, rrethi Mirditë, janë gjetur edhe 518 bimë të tjera të dyshuara narkotike cannabis sativa të kultivuara në tokë në zonë të shpyllëzuar.
Pas kryerjes së veprimeve procedurale, bimët narkotike u asgjësuan nëpërmjet djegies. Policia e Lezhës, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, vijon veprimet hetimore, me qëllim identifikimin dhe arrestimin e autorit/ëve të kësaj veprimtarie kriminale, ndërsa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.