Në rreth 2 muaj, ndaj 99 pikave karburanti ka nisur hetimi, 8 persona kanë rënë në prangat e policisë dhe tre të tjerë janë shpallur në kërkim, në kuadër të aksionit ndërinstitucional për kontrollin cilësor, sasior dhe fiskal të hidrokarbureve. Nga 99 subjektet problematike, 79 prej tyre do të hetohen për fshehje të ardhurash; 11 për ndryshime në aparatet matëse; 6 për ruajtjen, magazinimi, dhe tregtimin e mallrave kontrabandë;
1 për kontrabandë me mallra të akcizës; 2 për mos pagim taksash dhe 1 për manipulim të tregut. Gjithashtu janë sekuestruar 56 503 litra naftë, 711 litra benzine dhe 6 350 litra gaz. Policia e Shtetit njofton se këto procedime kanë nisur nga kontrolli i 783 subjekteve në total nga periudha e nisjes se aksioni 4 maj deri në 16 korrik të këtij viti. 783 subjektet e kontrolluara kanë ushtuar aktivitetin e tyre në qytetet e Tiranës, Fierit, Beratit, Durrësit, Lezhës, Shkodrës, Elbasanit, Korçë, Dibrës, Vlorës, Gjirokastërs, Përmetit, Sarandës, Kavajës dhe Kukësit. Operacioni nga grupet ndërinstitucionale të punës me specialistë nga Doganat, Tatimet, Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë, Inspektoriati Qëndror Teknik, Policia e Shtetit dhe Specialistë të Krimi Ekonomiko- Financiar do vijojnë edhe në ditët në vazhdim .