Aksioni i AKU, groposen në Sharrë 2 ton mish pa certifikatë origjine
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, ka asgjësuar mbi 2 ton mish, të grumbulluar nga pika të ndryshme therje dhe dyqane që ushtrojnë aktivitet në Tiranë, pasi janë gjetur pa vulën e veterinerit si dhe certifikatën e origjinës. Këtë të enjte, e gjithë sasia e grumbulluar në një magazinë në zonën e Vaqarrit, është marrë nga ekspertët e këtij institucioni dhe është asgjësuar në Landfillin e Sharrës. Sipas ekspertëve të AKU kontrollet do të vijojnë në të gjithë vendin, ku deri tani vetëm në Tiranë janë mbyllur, 83 njësi therje, 73 subjekte tregtimi mishi si dhe 6 të tjera tregtimi peshku. Ndërkohë, në gjithë vendin janë sekuestruar 551 kilogram peshk dhe 2500 kilogram mish. “Është kryer bllokimi dhe sot po kryhet asgjësimi i 2378 kg mish, peshk dhe produkte të cilat janë konfiskuar. Aktualisht është bëër ndërprerja e 150 subjekteve, 83 subjekte të cilët kanë kryer therjen e kafshëve, 73 subjekte tregtim mishi, 6 subjekte tregtim peshku, 1 tregtim bulmeti dhe 1 tregtim të produkteve ushqimore. Gjatë këtij aksioni është konstatuar kryerja e aktivitetit në 16 njësi të paregjistruara”.