Opozita po diskuton planin e aksionit kundër qeverisë pas protestës së të shtunës. Mesditën e sotme PD dhe LSI po diskutojnë me grupet respektive se cili do të jetë plani kundër qeverisë.
Në mbledhjen e grupit të PD, deputeti Flamur Noka ka kërkuar që të bojkotohet parlamenti.
“Hapi i vetëm që na mbetet është bojkoti. Ne duhet të shkëputemi nga ky parlament. Ramës ia dhamë kohën e duhur për Xhafën.”
Edhe deputetët e tjerë të PD, Balliu dhe Spahia kanë qenë në të njëjtin mendim me Nokën.
Klevis Balliu: Qytetarët na kërkojnë të mos jemi në parlament, sepse aty bëhet teatër.
Bardh Spahia: Shqipëria nuk mund të bëjë përpara me dy ministra të Brendshëm të lidhur me drogën. Ka ardhur koha që të marrim seriozisht në konsideratë opsionin e bojkotit të parlamentit.
Opozita protestoi ditën e shtunë duke kërkuar largimin e Fatmir Xhafës nga posti i ministrit, pasi e akuzon se mbrojti vëllanë e dënuar në Itali.