Pasi kryeministri Edi Rama njoftoi një ditë më parë vendimin për mbylljen e platformës TikTok në Shqipëri, me qëllim sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve dhe të rinjve në hapësirën digjitale Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) bëri të ditur hapat që do të ndiqen.
“Hapat drejt implementimit përfshijnë nisjen e procesit tekniko-ligjor për bllokimin e platformës TikTok në një masë të gjerë në nivel kombëtar, me kohëzgjatje afërsisht 1 vit”, thuhet në një njoftim të publikuar në rrjetet sociale.
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, thekson se, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe disa institucione të tjera publike, ka koordinuar dhe ofruar një kontribut në analizën paraprake teknike dhe shkencore për ndërmarrjen e këtij vendimi të rëndësishëm.
“AKSK do të vazhdojë të jetë një pjesë thelbësore e procesit të implementimit, duke ofruar ekspertizën e saj për të siguruar zbatimin e suksesshëm të këtij qëllimi”, përfundon njoftimi.