Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër tre personave me inicialet M.T., V.T-D., dhe Sh.T., për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”.
Prokuroria Speciale njofton se të pandehurat M.T., V.T-D., dhe Sh.T., me dashje kanë marrë pjesë në veprimtarinë e organizatës terroriste, në atë mënyrë që kanë shkuar në Siri dhe i janë bashkangjitur organizatës terroriste, militante, ekstremiste ISIS duke e përkrahur këtë organizatë dhe veprimtarinë dhe qëllimet e saja.
Pasi që bashkëshorti i të pandehurës M.T., ka qenë në Siri për disa muaj dhe është kthyer për një kohë të shkurtë, e gjithë familja ka vendosur që t`i bashkëngjitet luftës për Shtetin Islamik, edhe pse e kanë ditur se veprimi i tillë është kundërligjor, ashtu që e pandehura V.T-D. me bashkëshortin e saj dhe vajzën e vogël, më 05 tetor 2014, përmes pikës kufitare Hani i Elezit, me veturë kanë dalë nga Kosova dhe kanë shkuar në Shkup, e nga Aeroporti i Shkupit me aeroplan për në Turqi dhe më pastaj në Siri.
E pandehura M.T. me bashkëshortin e saj më 04 nëntor 2014, në mënyrë të njëjtë kanë udhëtuar në Siri, kurse e pandehura Sh.T., nëna e të pandehurave M.T., V.T-D., më 21 shtator 2015, së bashku me dy djemtë e saj, përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, ka shkuar për në Turqi dhe nga Turqia në Siri,
ku, secila veç e veç, duke e përdorur shumën e rregullt mujore të të hollave nga Shteti Islamik, iu kanë ofruar shërbime logjistike anëtarëve meshkuj të familjes të cilët aktivisht kanë luftuar, e gjithë kohën duke e ndërruar vendbanimin varësisht nga ndryshimi i territorit të Shtetit Islamik, deri sa ISIS-i e ka pësuar disfatën e plotë kur kanë qenë të detyruar që të dorëzohen te forcat kurde të cilët pastaj i kanë depërtuar në Kosovë më 24 maj 2019.
Me këto veprime të pandehurat M.T., V.T-D., dhe Sh.T., e kanë kryer veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”.