Katedralja e “Shën Shtjefnit” përmes një konference për shtyp ka bërë të ditur aktivitetet që do të zhvillohen në kuadër të lumnimit të 38 martirëve nga Vatikani.
Arqipeshkvi i dioqezës Shkodër Pult monsinjor Angelo Massafra tha se lumnimi i martirëve është një shenjë mirënjohje për ata të cilët u dënuan dhe torturuan padrejtësisht. Arqipeshkvi i pyetur nëse është momenti që shteti shqiptar të dënojë krimet e komunizmit tha se mundet që të imitojë kishën katolike e cila bëri gjyqin e gjatë në Vatikan për 38 martirët duke lënë të nënkuptohet se duhet ndërmarrë një hap i tillë. Mesha e shenjtë me 5 nëntor do të kremtohet nga Angelo Amato, kardinali i Kongregatës për Çështjen e Shenjtërve ndërkohë që do të marrin pjesë edhe kardinal të tjerë, ipeshkvinj nga e gjithë bota si dhe 300 meshtarë ndërsa të ftuar janë edhe autoritetet më të larta të shtetit shqiptar në lumnimin e 38 martirëve të kishës katolike.