Kompanitë që merren me prodhimin, tregtimin apo shërbimet në fushën e energjetikës vijojnë të jenë subjektet me xhiron më të lartë në ekonominë shqiptare. Sipas bilanceve të dorëzuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit pre tyre, çka është një detyrim i përvitshëm ligjor, edhe gjatë vitit të kaluar kompanitë që merren me naftën, energjinë elektrike, apo ndërtimin e strukturave që lidhen me këtë sektor kanë qenë në krye të piramidës së aktivitetit ekonomik të vendit.
Sektorët
Sipas bilanceve, rezulton që ndër 25 kompanitë me xhiro më të lartë, 8 prej tyre merren direkt me tregtimin apo prodhimin e hidrokarbureve; në total 10 janë kompani që operojnë në sistemin energjetik, ku përfshihet edhe energjia elektrike, ndërkohë që 3 të tjera janë duke ndërtuar rrjetin e gazsjellësit TAP që kalon nëpër Shqipëri.
Kryesuesit
Listën e kryeson kompania Kastrati sh.a., me një xhiro vjetore të deklaruar prej 480 milionë eurosh më 2018, por kësaj i shtohen edhe 132 milionë të tjera të “bijës” Kastrati me pakicë. Subjekti-mëmë rezulton me një rritje prej 42 përqindësh në aktivitetit financiar.
Në vend të dytë rezulton operatori shtetëror i shpërndarjes së energjisë elektrike. OSHEE ka realizuar 463 milionë euro xhiro, duke qenë një nga dy kompanitë e vetme shtetërore në “Top-25”.
Pasojnë Banka Kombëtare Tregtare me 379 milionë euro, Spiecapag-Shqipëria (ndërtuese e TAP-it) – 283 milionë, Bankers Petroleum- 231 milionë €, Kurum (prodhim hekuri e çeliku) – 214 milionë, Spiecapag Transadriatica – 193 milionë, Genklaudis (Gega Oil) – 188 milionë, KESH (prodhim energjie, shtetërore) – 149 milionë, Europetrol (Elda) – 142 milionë, Vodafone (celular) – 134 milionë, etj.
Janë katër kompanitë e shitjes me shumicë të mallrave të ndryshëm në këtë listë të kompanive me xhiro më të lartë, 2 banka, 1 prodhim kromi, 3 telekomunikacioni, etj.
Energjetika
Ndër 25 kompanitë me xhiro më të lartë, 8 prej tyre merren direkt me tregtimin apo prodhimin e hidrokarbureve; në total 10 janë kompani që operojnë në sistemin energjetik, ku përfshihet edhe energjia elektrike, ndërkohë që 3 të tjera janë duke ndërtuar rrjetin e gazsjellësit TAP që kalon nëpër Shqipëri
Lista sipas xhiros së deklaruar për vitin 2018
Emri i kompanisë Xhiroja e kryer
Kastrati sha 480 milionë €
OSHEE 463 milionë €
BKT 379 milionë €
Spiecapag Shqipëri 283 milionë €
Bankers Petroleum 231 milionë €
Kurum 214 milionë €
Spiecapag Transadriatica 193 milionë €
Genklaudis 188 milionë €
KESH 149 milionë €
Europetrol 142 milionë €
Vodafone 134 milionë €
Kastrati 132 milionë €
Eroil 126 milionë €
Agna 123 milionë €
Info Telecom 120 milionë €
Credins 115 milionë €
Inter Distribution 113 milionë €
Renco Terna 98 milionë €
Albchrome 92 milionë €
GSA 91 milionë €
Raiffeisen 91 milionë €
Philip Morris 87 milionë €
Alpha sha 83 milionë €
Tosk Energji 83 milionë €
Telekom Albania 72 milionë €