Një lajm shqetësues vjen për shëndetin e aktores së madhe Margarita Xhepa, e cila pavarësisht moshës së saj 87-vjeçare vijon të jetë e pashkëputur nga skena, filmi dhe ekrani.

Në një bisedë telefonike të ditës së djeshme për mediat, vet aktorja bënë të ditur se të premten do t’i nënshtrohet një operacioni të vështirë në këmbë.

“Sot mora analizat e gjakut, sepse jam në pritje të operacionit. Jam shumë sëmurë, nuk eci dot dhe nuk lë dot takim për intervistë”, u përgjigj aktorja e madhe Margarita Xhepa.

Megjithëse në gjendje të rënduar, Margarita Xhepa, e njohur për natyrën e saj si grua shumë kurajoze dhe optimiste, u shpreh se “Të premten do të hyj në operacion dhe do Zoti e kaloj me sukses. E pastaj mund të jem në gjendje të flas edhe me ju”.

Duke ndjerë shqetësim për gjendjen e rënduar të aktores së madhe, i gjithë stafi i Star Plus i uron sukses në këtë operacion dhe një shërim sa më të shpejtë.

Vetëm 6 muaj më parë aktorja ka punuar për xhirimet e filmit artistik me metrazh të gjatë “Bolero në vilën e pleqve”, bazuar në romanin e shkrimtarit të njohur Fatos Kongoli. Ndërsa ky film i ka mbyllur xhirimet në muajin shtator, Margarita Xhepa është protagoniste në këtë film që denoncon vrazhdësinë dhe diskriminimin ndaj gruas.

Filmi me skenar të Linda Fejzaj dhe regji të Spartak Pecanit është në pritje të premierës, ndërkohë që Margarita Xhepa ka bërë xhirime në krah të një aktori tjetër të madh, Robert Ndrenikës. Të dy janë role protagoniste.

Duke iu kthyer shqetësimit për shëndetin, kujtojmë se pesë vite më parë, aktorja e madhe Margarita Xhepa ka bërë dhe një tjetër operacion në këmbë në shtetin grek, ku pati përmirësime në shëndetin e saj.

Mirëpo duke qenë përherë në lëvizje, aktive dhe e përkushtuar në aktivitetet sociale dhe kulturore, si brenda dhe jashtë vendit, aktores kanë nisur t’i shfaqen probleme edhe me këmbën tjetër. Me shpirtin e saj sakrifikues, gjatë këtyre viteve aktorja e madhe,

Margarita Xhepa është përpjekur ta sfidojë sëmundjen duke qenë tepër aktive, pa munguar me protagonizmin e saj në skenë dhe në ekran. Margarita Xhepa është protagoniste e mbi 150 roleve.

Urimet tona të përzemërta për aktoren e madhe janë që të shërohet sa më shpejt për të qenë protagoniste edhe e dhjetëra roleve të ardhshëm, sepse ajo ngelet një aktore e mirëpritur dhe e dashur nga regjisorët dhe publiku.

Artikulli paraprakTIRANA ME KOSTO MË TË ULËT NË EUROPË, POR JO PËR SHQIPTARËT
Artikulli tjetërRREGULLORJA E RE, EDHE KONTABILISTËT DO I NËNSHTROHEN “VETTINGUT”