SHËNDETI PUBLIK DHE AUTORITETI I USHQIMIT SHMANGIN PËRGJEGJËSITË. Në ditën botërore të shëndetësisë, e përqendruar tek siguria ushqimore dy prej institucioneve kryesore në Shkodër, drejtoria e shëndetit publik dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit
kanë përplasje sa i përket tregjeve të produkteve ushqimore apo fruta-perimeve. Specialistja e drejtorisë së shëndetit publik Ilva Gojani pranon situatën e vështirë dhe thotë se është detyrë e AKU-së për të ndërhyrë. Në përgjigje të këtij pretendimi inspektori i AKU Hamdi Mlloja thotë se tregjet e jashtëligjshme nuk janë përgjegjësi e këtij institucioni. Inspektori i AKU pranon se këto lloj tregjesh si ai i Rusit apo Zdrales janë të pasigurtë për konsumatorët. Çështja e tregjeve në Shkodër prej kohësh vijon të jetë një ngërç i pazgjidhur ku institucionet ia kalojnë përgjegjësinë njëra-tjetrës pa bërë ndërhyrje konkrete për të gjetur zgjidhje.