Me akuza dhe kundërakuza është shoqëruar mbledhja e asamblesë së PS Shkodër. Përkundër asaj çfarë deklaruan në përfundim, gjatë mbledhjes ka patur debate të forta. Figura të partisë socialiste që janë lënë disi të mënjanuar kanë kritikuar ashpër qoftë për listën e këshillit bashkiak që për shumë kënd nuk ka përfaqësuar socialistët e Shkodrës por edhe për kandidaten duke thënë se nuk është pyetur baza e partisë.

Natyrisht nisur nga një mërzitja dhe zhgënjimi duke qenë se PS doli forcë e tretë në Shkodër, socialistët nuk kanë ruajtur qetësinë. Dy deputetët Namik Kopliku e Mimoza Hafizi u kritikuan nga një pjesë e madhe në asamble për mungesën e angazhimit qoftë gjatë fushatës elektorale por edhe në ditët e numërimit të votave. Po ashtu një pjesë e asamblesë kërkuan zgjedhje brenda partisë dhe në rast se një gjë e tillë nuk ndodh atëherë për ta PS në Shkodër është e dështuar. Kryetarët dhe ish-kryetarët e komunave e po ashtu edhe ish-drejtues të PS në vite ishin të ashpër dhe debatuan edhe me ngritje zëri. Punësimi ishte një tjetër çështje e debatuar teksa u tha se nga socialistët për dy vite nuk janë punësuar më shumë se 400 vetë, shifër kjo që u cilësua e ulët. Nga ana e saj ish-kandidatja Keti Bazhdari mësohet të ketë thënë se objektivi ka qenë marrja e 30 mijë votave, gjë që përafërsisht është arritur por sipas saj ka patur 16 mijë votues më shumë dhe këto pjesa më e madhe në fshatra pak orë përpara se të mbylleshin qendrat e votimit. Bazhdari tha se nga këtu duhet të nisë analiza. Ish-kandidatja u ndërpre disa herë gjatë fjalës së saj nga deputeti Kopliku deri sa u detyrua t’i thotë më lërë të flas se ju keni ardhur në fushatë, keni thënë dy fjalë dhe keni ikur. Një tjetër socialist u shpreh se sikur të ishte shkrirë PS do ishin marrë më shumë vota duke vënë theksin tek mungesa e angazhimit dhe organizimit brenda të majtëve. Një debat u zhvillua edhe për aleatët e PS, LSI-në teksa u deklarua se dalja e Bazhdarit kudo përkrah LSI ka prishur imazhin dhe dukej sikur kandidatja ishte e LSI dhe jo e PS duke patur parasysh edhe rezultatin ku LSI doli forcë e dytë dhe PS e treta. Duke qenë se ishte një mbledhje asambleje, një pjesë e madhe edhe pse nuk ishin të ftuar kanë shkuar edhe pa ftesë për të thënë fjalën e tyre. Tashmë duhet pritur muaji shtator ku në çdo rreth pritet të vijë kryetari i PS Edi Rama për të zhvillur analiza edhe më të zgjeruara ku në Shkodër duket se do të ketë punë më shumë se kudo.

Artikulli paraprakDEPUTETI KOPLIKU: KETI BAZHDARI E LUAN HETA MIQTË E MI
Artikulli tjetërDËSHTON MBLEDHJA PËR KONSTITUIMIN E BASHKISË VAU DEJËS