Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, do të dalin sërish sot para Gjykatës në Hagë. Sot do të mbahet konferenca e tretë mbi ecurinë e çështjes ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Seanca ishte parashikuar të mbahej më 11 shkurt, por është shtyrë për sot.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar ka theksuar se ka adoptuar në drejtim të zbulimit të provave, një mënyrë që do të lejojë që gjyqi të fillojë në shtator 2021”, thuhet në pikën 19 të kësaj shkrese.
Sipas tyre, koha e përcaktuar lejon për shumë muaj përgatitje të mbrojtjes dhe hetim paraprak për një çështje të përcaktuar qartë.
“Koha e përcaktuar u jep shumë muaj për përgatitje mbrojtjes për një çështje të përcaktuar qartë, ndërkohë që njeh interesat themelorë të viktimave dhe dëshmitarëve dhe të drejtësisë, në uljen e rreziqeve të ndërhyrjeve dhe frikësimeve të natyrshme në një gjykim të zgjatur”, thuhet në shkresën e zyrës së prokurorit të specializuar drejtuar gjykatës.
Në të njëjtën shkrese Zyra e Prokurorit të Specializuar thekson se “mbrojtja në mënyrë të përsëritur ka theksuar se përcaktimi i një afati të shkurtër kohore është përpjekje për të minuar një gjykim të drejtë, duke pretenduar se gjyqi nuk mund të fillojë për një minimum prej 18 muajsh nga fillimi i 2021, dhe me gjasë edhe më i gjatë”.
Katër ish-udhëheqësit politikë e ushtarakë të UÇK-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe shefi
i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Rexhep Selimi janë të fundit që u dërguan në Hagë.
Arrestimet erdhën pasi një gjyqtar i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale, kishte konfirmuar aktakuzat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999.