Deklaratat e presidentit të Laçit Pashk Lasku se Vllaznia do fitojë në Gjirokastër ndaj Luftëtarit për drejtorin sportive të Vllaznisë Eugent Zeka nuk janë gjë tjetër veçse një presion nga ana e tij.
Vllaznia u përfol për tolerim edhe në ndeshjen me Skenderbeun por për drejtorin Zeka kjo nuk do thotë se Vllaznia është në shënjestër. Drejtori Zeka ndryshe nga trajneri Armando Cungu nuk ka dijeni për aleanca të ekipeve të tjera në kampionat që mund të jenë në dëm të Vllaznisë apo ndonjë ekipi tjetër pa mbështetje. Ndaj Luftëtarit drejtori sportiv shprehet se Vllaznia objektiv të vetëm ka fitoren.
Drejtuesit e klubit kuqeblu vijojnë ta mbajnë stekën lart duke pretenduar vendin e katërt ndërkohë që tekniku Cungu vazhdimisht bën thirrje që Vllaznia fillimisht të sigurojë mbijetesën në Superligë. Ndeshja Luftëtari-Vllaznia luhet të shtunën me 4 mars në ora 14:00 në Gjirokastër, një përballje që pritet me interes për vetë luftën që po bëhet në fundin e renditjes.